Chemnitzi si Kryeqytet Evropian i Kulturës, ka qenë nikoqir i “Tingujve të Evropës” siç është titulluar ngjarja në kuadër të Javës Kulturore, titulli i së cilës rrumbullohet me mesazhin se “Muzika bashkon Evropën”. E, në një ngjarje si kjo, ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, ka lënë ngjyrat e muzikës, valles e të veshjes tradicionale shqiptare
“Tingujt e Evropës” në Gjermani ka marrë edhe ngjyrat e muzikës e të valles shqipe me “Shotën”. Chemnitzi në shtetin federal të Saksonisë, për tri ditë është mbërthyer nga kultura e tradita e shteteve evropiane, e Ansambli Kombëtar të Këngëve dhe Valleve ka qenë përfaqësues i Kosovës në qytetin i cili sivjet, tok me Nova Goricën e Sllovenisë, ka statusin e Kryeqytetit Evropian të Kulturës. Është shndërruar në skenë kulturore për të shfaqur diversitetin kulturor të Evropës.
Ngjarja e Javës Kulturore atje, nën titullin “Tingujt e Evropës – Muzika bashkon Evropën në Chemnitz”, përveç Kosovës dhe nikoqirëve prej 7 deri më 9 maj ka pritur edhe përfaqësues të shteteve si Rumania, Franca, Spanja (Andaluzia), Portugalia, Belgjika, Sllovenia dhe Armenia.
Artistë ndërkombëtarë kanë marrë pjesë në koncertin “Europe Sounds”, i cili është organizuar nga qytetet partnere të Chemnitzit – kryeqytetet evropiane të kulturës – për të paraqitur para audiencës llojllojshmërinë e kulturave, duke pasuruar kështu programin kulturor të Javës së Evropës. Koncerti u prezantua nga radiomoderatori i Chemnitzit, Conny Hartmann.
Ansamblit “Shota” duke e shfrytëzuar mundësinë që e ka ofruar Ambasada e Kosovës në Gjermani, ka promovuar traditat dhe kulturën e Kosovës në një ngjarje “kaq prestigjioze”, siç e ka vlerësuar drejtori artistik i “Shotës”, Ylber Asllani.
“Ka qenë një festival, për të cilin na ka bërë nder të madh Ambasada e Kosovës në Gjermani, që na ka bërë të mundur të shkojmë e ta prezantojmë Kosovën tonë në asi festivali aq prestigjioz, në një qytet jashtëzakonisht të bukur, me vlera shumë të larta historike dhe kemi hasur në pritje të jashtëzakonshme edhe nga shqiptarët atje, edhe nga Ambasada”, ka thënë Asllani për KOHËN, ende nën emocionet e prezantimit në “Tingujt e Evropës”. “Shota” është ngjitur në skenë në ditën e parë, të mërkurën e kaluar. Ka udhëtuar nga Gjermania fill pas Portugalisë ku zyrtarisht përfaqësoi Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, Kulturës dhe Artit që sivjet mbajti edicionin e nëntë prej 25 prillit deri më 1 maj në qytetin Almeirim.
Ndryshe nga herët e tjera, “Shota” në Gjermani është përfaqësuar me pak më shumë se një duzinë pjesëtarësh të vet – kryesisht solistë – për shkak të kufizimeve nga organizatori.
“Kësaj radhe, për shkak se ishte numri i kufizuar, organizatori nuk mund të ofronte më shumë vend për më shumë pjesëmarrës, prandaj është dashur të shkohet vetëm me orkestër, me këngëtarë, kemi qenë 15 veta prej ansamblit”, ka thënë Asllani.
Por sipas Asllanit, kjo nuk do të thotë se para publikut nuk janë paraqitur edhe elemente të tjera shumë të rëndësishme të kulturës shqiptare.
“Ne e harrojmë edhe një element të rëndësishëm, kur përpara publikut kufizohemi vetëm në këngë dhe në valle, por aty prezantohet edhe veshja jonë tradicionale, që është një prej elementeve më të rëndësishme të kulturës sonë për ta prezantuar para publikut”, ka shtuar ai.
Pjesëmarrës nga stafi i Ansamblit kanë qenë disa solistë, të cilët kanë kënduar në shqip, si dhe një rapsod i ri, i cili ka luajtur disa pjesë në sharki.
“Solistët e ansamblit që kanë marrë pjesë kanë qenë: Violetë Kukaj, Myrvete Haziri, Liridon Sadriu, solisti i ansamblit, dhe mysafir ka qenë pikërisht me sharki një rapsod i ri, Samir Krasniqi dhe Majlinda Cikaqi që ka kënduar këngë... I kemi prezantuar edhe instrumentet tona, jo lahutën kësaj radhe sepse nuk kemi dikë që luan në lahutë fatkeqësisht, por çiftelinë, sharkinë, si dhe defin”, ka treguar drejtori artistik i Ansamblit.
Kjo ngjarje nuk është ndonjë mundësi e re për ansamblin, është puna kryesore që e bën ansambli “Shota” për vite e dekada me radhë, krijon rrjete e hapësira, prezanton kulturën tradicionale, si vallet, këngët, veshjet, instrumentet popullore dhe kjo ka qenë një vazhdimësi e asaj që ata e bëjmë me dekada.
Me pjesëmarrjen në këtë ngjarje madhore, e cila është mbështetur edhe nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, është hapur mundësia për ta promovuar ndërkombëtarisht kulturën shqiptare. Sipas ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, jehonë të veçantë ngjarjes i ka dhënë prezenca e madhe e publikut gjerman dhe atij ndërkombëtar.
“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje madhore përbën një hap domethënës në promovimin ndërkombëtar të kulturës sonë dhe në forcimin e lidhjeve kulturore me vendet e tjera evropiane. Prezenca e madhe e publikut gjerman dhe ndërkombëtar, si dhe e bashkatdhetarëve të ardhur nga lande të ndryshme të Gjermanisë, i dha këtij eventi një jehonë të veçantë”, ka shkruar ambasadori Ajeti në rrjete sociale.
Përveç këtij eventi, në sezonin e verës – që është pikërisht sezon i festivaleve – do të ketë prezantime të Ansamblit jashtë Kosovës, kështu që, sipas Asllanit, do të ketë një prezantim në Poloni, në Turqi dhe disa pjesëmarrje të tjera që nuk janë ende të konfirmuara, por do të jenë së paku edhe tri prezantime jashtë shtetit deri në vjeshtë.
Lokalët gjermanë nga Chemnitzi janë paraqitur me korin e tyre ndërkombëtar, përderisa audiencës i është dhënë mundësia t’i dëgjojë tingujt e tyre, teksa kanë kënduar nën moton “Muzika na bashkon – përtej gjuhëve dhe kulturave”.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe Marco Vargas dhe Alya Al-Kanani, një dyshe nga Andaluzia që ka sjellë “Flamenco” unike me një frymë moderne. Në anën tjetër, Franca ka prezantuar me anë të gjashtë anëtarëve, tek luajnë në instrumente, një pjesë të ansamblit muzikor në stilin ushtarak, duke i kombinuar me zhanret jazz, rock dhe soul.
Rumunët kanë shfaqur diversitetin e kulturës së tyre, duke e nxjerrë si përfaqësues trumpetistin dhe kompozitorin nga Timisoara, Petre Ionutescun, i cili ka eksperimentuar solo me stile të ndryshme si muzika jazz dhe muzika klasike.
Edhe në ditët e tjera të ngjarjes, në kuadër të Javës së Evropës, janë përfaqësuar shtete të tjera si Greqia, Armenia dhe Sllovenia.