Sport

Barcelona thotë se hetimet për korrupsion dëshmuan pafajësinë e saj

Kryetari i Barcelones, Joan Laporta

Hetimi i porositur nga Barcelona për pagesat diskutabile të saj për raportet e arbitrave nuk gjeti dëshmi të korrupsionit. Kështu të paktën tha presidenti i klubit, Joan Laporta të hënën.

Laporta përsëriti se pagesat e klubit gjatë disa vjetëve për kompaninë në pronësi të zëvendëspresidentit të komitetit të arbitrave të Spanjës ishin vetëm për raporte teknike dhe jo për të ndikuar te gjyqtarët. Ai tha se besonte se nuk kishte shkelje të etikës dhe se Barcelona ishte viktimë e një fushate për të dëmtuar reputacionin e saj.

“Ky është një nga sulmet më të egra në historinë tonë”, tha Laporta. “U kërkoj tifozëve të klubit që të jenë të bashkuar si kurrë më parë në mbrojtje të stemës sonë, thelbit tonë dhe modelit tonë të pronësisë. Asnjë fushatë për të na diskredituar nuk do të na pengojë të vazhdojmë të jemi një organizatë shembull në botën e sportit që është e dashur dhe e admiruar nga miliona katalanas dhe nga shumë miliona të tjerë në mbarë botën”.

Ishte hera e parë që Laporta foli në një konferencë shtypi për të dhënë shpjegime pasi u bë publike se klubi pagoi 7.3 milionë euro nga viti 2001 deri më 2018 për kompaninë e nënpresidentit të atëhershëm të komitetit, Jose Maria Enriquez Negreira. Prokurorët kanë akuzuar Barcelonën për korrupsion në sport, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.

Barcelona nisi hetimin për të shqyrtuar veprimet e administratës që bëri pagesa ndër vite, me presidentë të ndryshëm, duke përfshirë edhe gjatë periudhës së parë të Laportas në klub. Hetimi u krye nga një kompani e jashtme. Klubi tha se hetimi zbuloi se “asnjë sjellje e një natyre kriminale të lidhur me korrupsionin sportiv nuk është identifikuar”. Sipas hetimit, kishte “dokumentacion zyrtar mbi faturat dhe pagesat” për shërbimet e “skautimit dhe këshillimit në lidhje me gjyqtarët, të cilat janë praktika të zakonshme në sektorin e sportit profesional”.

“Konsultimi për çështje teknike të referimit nuk përbën asnjë lloj akti të paligjshëm. Konsultimi, siç bëhet nga klubet e mëdha, është bërë në mënyrë transparente, me faturat përkatëse, të paktën në mandatin tim të parë si president”, u shpreh Laporta.

Hetimi gjeti 629 raporte teknike të arbitrave dhe 43 disqe që klubi i mori gjatë 18 vjetëve.

“E ritheksoj me gjithë vendosmërinë time se jam i bindur që Barcelona nuk ka kryer asnjë krim të korrupsionit lidhur me sportin. Shpresoj që sa më shpejt të shfajësohet plotësisht”, tha Laporta.

Laporta tha se nëse do të kishte ndonjë parregullsi të kryer nga Negreira, Barcelona do të ishte viktimë. Ai shtoi se Negreira nuk ishte në gjendje të ndikojë drejtpërdrejt te gjyqtarët dhe se ishte djali i Negreiras, ai që prodhoi raportet e arbitrave.

“Unë sfidoj këdo të tregojë një rast në të cilin Barcelona u favorizua në një ndeshje për shkak të këtyre pagesave”, tha Laporta. “Ne do të lejojmë sistemin e drejtësisë të bëjë punën e tij dhe jam i sigurt se emri Barcelona do të pastrohet”.

Liga spanjolle, Real Madridi dhe klube të tjera kanë qenë në mesin e atyre që kanë marrë pjesë në procedurat ligjore kundër Barcelonës.

Laporta kritikoi presidentin e La Ligas, Javier Tebas për akuzat ndaj Barcelonës dhe gjithashtu goditi rivalin e madh, Real Madridin.

“Të gjithë e dinë se Real Madridi është një klub që favorizohet historikisht nga gabimet e arbitrave”, shtoi presidenti i Barçës.

Laporta tha se Barcelona ka qenë gjithmonë një klub që krenohet me vlerat e tij dhe nuk do të dëshironte kurrë të fitonte asgjë me ndihmën e jashtme.

“Përgjatë historisë 123-vjeçare, FC Barcelona ka qenë gjithmonë një model i lojës së ndershme, si brenda dhe jashtë fushës. Nëse kemi fituar për kaq shumë dekada, padyshim se ka qenë si rezultat i përpjekjes, talentit dhe njohurive”.