Pas dështimeve të vazhdueshme për të fituar trofeun më të lakmuar të Evropës, Paris Saint-Germaini e di shumë mirë se transferimi i talenteve nuk mjafton për ta bërë një ekip të suksesshëm në skenën më të madhe – Ligën e Kampionëve.
Qëkur pronarët e pasur nga Katari morën kontrollin e klubit francez, më shumë se 10 vjet më parë, PSG-ja është rritur në një markë globale me të ardhura të mëdha financiare. Vit pas viti lista e transferimeve të PSG-së është bërë më e frikshme, me shtimin e superyjeve si David Beckham, Zlatan Ibrahimoviq, Neymar dhe Kylian Mbappe.
Dhe vit pas viti trofeu që e dëshirojnë parisienët aq shumë, ai i Ligës së Kampionëve, ka mbetur i paarritshëm, pavarësisht se PSG-ja i ishte afruar në vitin 2020 kur mbeti nënkampion.
Duke marrë shembull nga politika e “Galaktikëve” gjatë presidencës së Florentino Perezit në Real Madrid, PSG-ja nuk ka hequr dorë nga strategjia për të blerë emrat më të mëdhenj të futbollit. Pasi ka siguruar shërbimet e lojtarit që e ka fituar katër herë Championsin dhe ka rrëmbyer shtatë herë “Topin e Artë”, Lionel Messin, klubi shpreson se argjentinasi do të ndryshojë lojën. Ish-lojtari i Barcelonës tani është nën presion për të dhënë më të mirën kundër Real Madridit në një përplasje me një klub që i pëlqen ta quajë veten “mbret i Evropës”.
PSG-ja të martën mbrëma e pret Realin në stadiumin “Parc de Princes” në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Dueli mes PSG-së dhe Realit, që e ka fituar 13 herë Championsin, do të nisë në orën 21:00.
“Leo është në gjendje të mirë, është një ndeshje vendimtare dhe prej atyre që kanë vërtet rëndësi për një lojtar me një talent të tillë. Me përvojën e tij, ai pa dyshim se luan një rol shumë thelbësor për ekipin tonë në këtë ndeshje. Ky klub ka 50 vjet që mundohet ta fitojë këtë trofe dhe jemi në garë për të”, tha trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, të hënën. “Të gjithë lojtarët janë të motivuar për këtë ndeshje dhe po ashtu ekipi është në formë të mirë, gjë që më gëzon shumë. Ne kemi cilësi në ekipin tonë dhe jemi të gatshëm për këtë duel”.
Messi është përshtatur ngadalë me ekipin e ri, që kur nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me PSG-në verën e kaluar. Ka shënuar vetëm shtatë gola në 20 paraqitje deri më tani. Përkrah Messit e Kylian Mbappes në repartin e sulmit të PSG-së ndaj Realit pritet të jetë edhe braziliani Neymar. Neymari ka stërvitur normalisht me ekipin të hënën, ndërsa nuk ka luajtur që nga muaji nëntor për shkak të lëndimit të nyjës së këmbës.
Ndërkohë, ish-kapiteni i Realit, Sergio Ramos, nuk është përfshirë në ekipin e PSG-së për shkak se nuk është rikuperuar tërësisht nga lëndimi. Ramos iu bashkua PSG-së para fillimit të këtij edicioni si lojtar i lirë.
“Real Madridi është një prej skuadrave më të mëdha në botë dhe për këtë arsye nuk ka favorit në këtë ndeshje. Lirisht mund të them se mund të vlerësohet si finale e Championsit, bazuar në cilësitë e dy skuadrave”, ka shtuar Pochettino.
Edhe kapiteni i PSG-së, Marquinhos, pret shumë nga Messi. Marquinhos tha se argjentinasi 34-vjeçar ka nevojë për pak kohë për të gjetur ekuilibrin e duhur në mjedisin e ri, por pret që ai të bëjë një paraqitje të shkëlqyer kundër Madridit, një klub që Messi e torturoi gjatë periudhës së tij të gjatë në Spanjë me Barcelonën. Messi ka shënuar 26 gola dhe 14 asistime në 45 ndeshje ndaj Realit.
Te Reali në dyshim mbetet sulmuesi Karim Benzema, përkundër që është përfshirë në ekip për këtë ndeshje. Reali nuk ka arritur në finale të Championsit që nga viti 2018.
“Nëse jam këtu do të thotë se kam ardhur ta ndihmoj ekipin dhe mund të them se jam i gatshëm për këtë ndeshje dhe për të sakrifikuar ta ndihmoj ekipin. Në këtë ndeshje nuk ka favorit dhe cilado skuadër mund të fitojë. Nuk dua të flas për Messin, pasi kam luajtur shumë ndeshje të mëdha kundër tij”, theksoi Benzema.
E martë (21:00)
PSG – Real Madrid
Sporting – Man. City