Pasi Paris Saint-Germaini u eliminua nga Liga e Kampionëve në 1/8 e finales për herë të pestë në shtatë vjet, sulmuesi Kylian Mbappe nuk ishte edhe aq i befasuar. Duke reflektuar mbi humbjen e përgjithshme 3:0 të ekipit të tij ndaj Bayern Munich të mërkurën mbrëma, sulmuesi francez tha troç atë që ishte në mendjen e të gjithëve: Kjo lloj paraqitjeje kundër skuadrave më të mëdha evropiane është në fakt maksimumi që PSG-ja mund të japë.
“E thashë në fillim të sezonit, në konferencën e parë për shtyp të sezonit, se do të jepnim gjithçka. Dhe ky ishte maksimumi ynë. Kjo është e vërteta”, tha Mbappe, i cili nënshkroi një zgjatje të kontratës vitin e kaluar me PSG-në pikërisht për të fituar trofeun e Ligës së Kampionëve. Por më shumë se pesë vjet pasi iu bashkua PSG-së, sulmuesi francez tani ka luajtur në dy herë më shumë finale të Kupës së Botës sesa në finalet e Ligës së Kampionëve.
“Ne do t’i bëjmë vetes pyetjet e vështira dhe do të kthehemi në rutinën tonë të përditshme, që është liga”, tha Mbappe.
Qëkur investitorët e Katarit morën përsipër klubin në vitin 2011, PSG-ja ka qenë një forcë dominuese në Francë, por vazhdimisht ka dështuar ta përsërisë atë sukses në skenën evropiane, pavarësisht se ka shpenzuar shuma masive për lojtarët yje. E vetmja finale e Ligës së Kampionëve që arriti PSG-ja ishte në formatin e shkurtuar nga pandemia në vitin 2020, kur humbi nga Bayerni. Mbappe dhe Neymar – të cilët kushtuan së bashku 402 milionë euro – u mbajtën pa gola në atë ndeshje nga mbrojtja e Bayernit.
Prejse Javier Pastore u bë nënshkrimi i parë i PSG-së për 42 milionë euro në vitin 2011, shpenzimet neto të klubit janë rritur në më shumë se 1 miliard euro. Pavarësisht mburrjes për shpenzime, PSG-ja ka dështuar të ndërtojë një kolektiv të fortë me thellësi në stol, duke u mbështetur në aftësitë individuale të lojtarëve yje. Dikur ishte Zlatan Ibrahimoviq, tani janë Lionel Messi, Mbappe dhe Neymar. Por Neymari është jashtë i lënduar deri në fund të sezonit dhe nuk luajti në Munich, ndërsa Messi dhe Mbappe u mbajtën të heshtur nga lojtarët e Bayernit. Ata nuk patën asnjë lloj ndikimi në ndeshje. Për të forcuar skuadrën, zyrtarët e PSG-së kishin diskutuar perspektivën e rekrutimit të një mbrojtësi të gjithanshëm dhe mesfushorëve të rinj me Aurelien Tchouamenin dhe Ousmane Dembelen, që thuhet se ishin në shënjestër vitin e kaluar. Asnjëri prej tyre nuk u bashkua, ndërsa PSG-ja humbi mundësinë e transferimit të qendërmbrojtësit të Interit, Milan Skriniar. Gjatë afatit kalimtar të dimrit, PSG-ja u përpoq të rekrutonte Hakim Ziyech, por huazimi dështoi për shkak të vonesës së dokumenteve. Në Munich të mërkurën, në mungesë të dëmtuarit Presnel Kimpembe, PSG-ja duhej të mbështetej në qendërmbrojtësin pa përvojë, 17-vjeçarin El Chadaille Bitshiabu pasi Marquinhos dhe Nordi Mukiele u zëvendësuan të dy.
“PSG-ja ka një nga buxhetet më të mëdha në Evropë dhe nuk ka zgjidhje në stol”, tha ish-lojtari i PSG-së Edouard Cisse në një intervistë për gazetën “L’Equipe” të dielën.
Edhe
Pse titulli i Ligës së Kampionëve mbeti i paarritshëm për PSG-në dhe a do të ndryshojë kjo?
Në mesfushë, një tjetër adoleshent, Warren Zaire-Emery, hyri në 15 minutat e fundit në vend të Fabian Ruizin.
“Duhet ta ktheni lojën dhe mund të inkuadroni vetëm Zaire-Emeryn, i cili është në moshën e vajzës sime”, shtoi Cisse. “Klubi me të vërtetë duhet t’i bëjë pyetje vetes”.
Pasi u eliminua nga Kupa e Francës nga rivali Marseille muajin e kaluar, gjithçka që PSG-ja mund të fitojë këtë sezon është titulli i ligës franceze. Me 12 ndeshje të mbetura për të luajtur, Parisi ka tetë pikë epërsi ndaj Marseillet. Me zakonin e PSG-së për të ndryshuar shpesh trajnerë, e ardhmja e Christoph Galtier në klub duket e pasigurt, ndërsa Mbappe, i cili u bashkua nga Monaco në vitin 2017, kur ishte ende adoleshent, mund të tundohet të largohet nëse mendon se talenti i tij i madh po shpërdorohet. Mbappe ka thënë shpesh se të luante për Real Madridin ishte ëndrra e tij e fëmijërisë dhe nuk përjashtohet mundësia që francezi sezonin tjetër ta kërkojë suksesin në Champions me fanellën e ekipit nga La Liga.