Sport

Projekti i dytë i Batatinës - Llapi kampion

Tahir Batatina krenohet me shumëçka që ka bërë te Llapi për një dekadë. Projektin e tij te Llapi e ndan në dy faza. Në fazën e parë thotë se mision kishte stabilizimin e skuadrës në elitë, zhvillimin e talenteve dhe rregullimin e infrastrukturës.

“Bashkë me vëllezërit arritëm ta shndërronim ‘Zahir Pajazitin’ në një ndër stadiumet më të mira në Kosovë. Krahas zhvillimit kemi fituar tre trofe, dy Kupa dhe një Superkupë dhe kampion në Ligën e Parë”, thotë Batatina për KOHËN. Ai është trajner i skuadrës, por ka angazhime që kalojnë shumë ato të trajnerit.

Batatina thotë se është i lumtur që faza e parë e projektit ka përfunduar me sukses. Tani ka një mision tjetër.

“Tash kemi synim të jemi skuadër konkurruese për tri pozitat e para në tabelë duke shkuar nga ndeshja në ndeshje dhe duke bërë maksimumin për çdo ndeshje”, ka theksuar trajneri llapjan.

Llapi ka fituar dy nga tri ndeshjet e para të edicionit aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshjen e parë e humbi nga Drita me rezultatin 2:0, kurse e mposhti Dukagjinin 3:0 dhe Fushë Kosovën me rezultatin 2:1.

Batatina thotë se Llapi i edicionit aktual është më i miri që ka drejtuar ndonjëherë në dhjetë vjet sa ka në krye të shtabit teknik.

“Llapi ka 99 % lojtarë vendorë, lojtarë që kanë eksperiencën e duhur në Superligën tonë ku edhe një pjesë janë lojtarë që i kam zhvilluar vetë. I njoh mirë dhe ata më njohin mua si trajner. Kjo e bën më të lehtë komponimin e skuadrës. Por, dua ta veçoj që asnjëherë nuk kam pasur skuadër më të mirë dhe më të bashkuar se këtë kampionat. Janë në gjendje të vdesin në fushë për Llapin dhe për skuadrën. Kjo më bën të ndihem mirë si trajner. Kam krijuar një grup me lojtarë me integritet të lartë dhe shumë fantastik”, është shprehur Batatina.

Thotë se puna e tij është reduktuar për një përqindje të lartë. Kjo, sipas Batatinës, falë lojtarëve që ka në ekip.

“Me këta lojtarë punohet më lehtë nga ana taktike. E kuptojnë se çfarë dua si trajner dhe kjo më bën më të qetë mua si trajner. Por, nuk duhet ta harroj asnjëherë stafin me djem të rinj, me plot motiv për punë dhe një drejtor sportiv që më ka ndihmuar shumë me angazhimin e lojtarëve kualitativë dhe me talent të mirë”, ka theksuar Batatina.

Mentor Zhdrella tani e kryen punën e drejtorit sportiv të Llapit.

Batatina thotë se me lojtarët që ka aktualisht në skuadër shpejt do ta fitojë edhe titullin e kampionit.

Llapi ka qenë goxha aktiv në afatin kalimtar të verës. Në skuadër ka kthyer lojtarë që kanë bartur barrën kryesore në ekipet e tjera të Superligës e po ashtu ka bërë shumë përforcime. Ka afruar edhe shumë talente për të ardhmen.

“Mua më mungon titulli si trajner dhe unë do ta bëj punën time së bashku me skuadrën për ta fituar titullin. Por, asnjëherë me çdo kusht të dalim kampion, por të arrijmë Evropën dhe njërën prej tri pozitave të para”, ka thënë trajneri llapjan.

Batatina insiston se ndërtimi i Llapit nuk ka qenë mision i lehtë.

“Por, nuk jam ngutur në hapa. Kam dashur që vetëm skuadra të bëjë eksperiencën e duhur dhe një ditë secili ta kryejë detyrën e vet për të arritur suksesin e pritur gjatë dhe besoj fuqishëm se Llapi ka të ardhme të mirë. Do të vij momenti kur llapjanët do t’i gëzohen titullit të kampionit. Kjo ka rëndësi shumë te një skuadër me bazament të mirë dhe ide për t’u rritur sa më shumë”.

Batatina thotë se me Llapin është rritur edhe vetë si trajner.

“Unë gjithmonë kam bërë punën time dhe asnjëherë nuk preferoj të merrem me të tjerët. Koha më së miri tregon për secilin dhe unë e kam duruar presionin dhe ia kam lënë kohës të dëshmojë se me punë, sinqeritet dhe duke forcuar profesionin që e bën arrin objektivat. Gjithmonë kam besuar te puna ime, integriteti, lidershipi, që një ditë me punë mund të jem në mesin e trajnerëve më të mirë në vendin tim”, ka thënë Batatina.