Te Prizreni-16 janë të vendosur për të luajtur për vitin e dytë rresht në serinë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Për dallim prej edicionit të shkuar, kur u kualifikua direkt në gjysmëfinale si kampion i stinorit të rregullt, këtë herë Prizreni rrugëtimin në plejof e ka nisur prej çerekfinales. Për të luajtur në gjysmëfinale, Prizreni-16 duhet ta eliminojë Sigal Prishtinën. Rezultati është 1:1 dhe skuadra që e fiton ndeshjen e tretë do të konfirmohet në gjysmëfinale. Dueli i tretë dhe vendimtar do të luhet të mërkurën prej orës 20:30 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Trajneri i Prizreni-16, Arbnor Rifati, pranon se kjo është ndeshja më e rëndësishme për ekipin e tij deri më tani. Rifati jo vetëm që beson por tashmë e sheh Prizrenin në gjysmëfinale. Ai është i bindur që do ta eliminojë Prishtinën.
“Natyrisht që e pres kalimin në serinë gjysmëfinale dhe kjo nuk diskutohet. Ekipi është i përgatitur maksimalisht dhe nuk kemi fare presion pasi besojmë në fitore për shkak se e kemi edhe përparësinë e terrenit”, ka insistuar Rifati të martën për KOHËN. “Dy ndeshjet e para ishin të barabarta, por në duelin e tretë e pres një paraqitje të jashtëzakonshme të ekipit tim, ndoshta më të mirën deri më tani. E them këtë për faktin se kjo është ndeshja më e rëndësishme për ne këtë edicion. Sa herë vjen puna për ndeshje të mëdha, Prizreni-16 ka treguar karakter fitues dhe këtë do ta dëshmojë edhe të mërkurën mbrëma”.
Edhe te Sigal Prishtina kanë pranuar se nuk kanë çfarë të humbin në këtë përballje dhe në Prizren do të udhëtojnë për fitore dhe kalim tutje. Kështu ka insistuar Meriton Ismaili, i cili në ndeshjen e dytë ishte më i merituari për fitoren e Prishtinës, me 25 pikë të shënuara.
“Ndeshja e tretë ndaj Prizreni-16 është më e rëndësishmja për ekipin tonë deri më tani. Ne si ekip kemi pritshmëri te mëdha nga kjo përballje që e konsiderojmë tepër të rëndësishme. Jemi përgatitur dhe jemi gati 100 për qind që ta japim më të mirën për fitore. Pas tri ndeshjeve rresht që i kemi pasur me Prizrenin, mendoj se jemi ambientuar me të dhe i njohim shumë mirë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Kështu që ne udhëtojmë atje për të fituar dhe avancuar tutje”, tha Ismaili.
Skuadra që kalon tutje në gjysmëfinale do të përballet me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin. Ylli është kampion i stinorit të rregullt. Seria gjysmëfinale do të nisë në vikend dhe ekipi që shënon tri fitore do të avancojë në finale.
Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen Trepça dhe Peja. Ndeshja e parë luhet të dielën në Mitrovicë. Trepça është kualifikuar direkt në gjysmëfinale si nënkampione e stinorit të rregullt. Peja në çerekfinale e eliminoi skuadrën e Bashkimit me rezultatin e përgjithshëm, 2:0.