Sport

Prishtina fiton ndeshjen dramatike me Trepçën

Sigal Prishtina

Sigal Prishtina ka fituar derbin e xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Të hënën mbrëma, Prishtina fitoi në shtëpi ndaj Trepçës me rezultatin 78:75. Ndeshja u vendos në aksionet e fundit. Trepça pësoi humbje ndonëse ishte në epërsi në shumicën e kohës. Por lojtarët e Prishtinës nuk u ndalën dhe morën fitoren e shumëdëshiruar. 1.40 sekonda para fundit, Jan Palokaj i Prishtinës shënoi treshe për epërsinë 74:73 të Prishtinës.

Drilon Hajrizi shënoi dy gjuajtje të lira për 75:74 në të mirë të Trepçës, 43 sekonda para fundit. Ndërkohë 21 sekonda para fundit, Both Gach shënoi treshe në çastet e fundit të aksionit për epërsi të re të Prishtinës prej 77:75. Në aksionin vijues gjuajtjen e vështirë të Amin Hotit të Trepçës e bllokoi Dustin Thomas. Jan Palokaj realizoi një gjuajtje të lirë në anën tjetër, katër sekonda para fundit për 78:75. Në fund, një gjuajtje nga larg e Mikaile Tmushiqit për pak nuk gjeti cakun dhe kështu festa ishte për Prishtinën. Derrick Wilson udhëhoqi Prishtinën me 14 pikë, gjashtë asistime e pesë kërcime.

Jan Palokaj i kishte 13 pikë e tri kërcime, ndërsa Gach realizoi 11 pikë e katër kërcime. Drilon Hajrizi u dallua te Trepça me 23 pikë e pesë kërcime. Jamal Artis i kishte 13 pikë e shtatë kërcime, ndërsa Will Daniels shtoi 12 pikë e shtatë kërcime. Mitrovicasit kanë pasur telashe me gabime personale, ndërsa lojtarët e Prishtinës me efikasitetin nga gjuajtjet e lira. Prishtina kthehet në vendin e parë me 44 pikë. Një më pak ka Ylli i vendit të dytë. Trepça mbetet e katërta me 40 pikë. Prishtina ka ndalur serinë e fitoreve të Trepçës dhe i është revanshuar skuadrës mitrovicase për humbjen që ia shkaktoi në finale të Kupës.