FC Prishtina e ka fituar miqësoren e parë në Turqi. Pas dy disfatave e një barazimi në Antalia, kampionia në fuqi e Kosovës, Prishtina, triumfoi ndaj skuadrës ruse FC Alania Vladikavkaz me rezultatin, 2:0.
FC Alania bën gara në rangun e dytë të futbollit rus. Në këtë ballafaqim, “bardhekaltrit” realizuan nga një gol në secilën pjesë. Kapiteni Lorik Boshnjaku shënoi i pari në minutën e 35-të pas një kundërsulmi të shpejtë. Boshnjaku e kaloi edhe portierin për të shënuar në portën e zbrazët.
Ndërkohë, golin e dytë dhe rezultatin final të ndeshjes vulosi Besnik Krasniqi nga penalltia në minutën e 52-të. Penalltia u shkaktua në sulmuesin ganez Adam Sulley, i cili u zyrtarizua te Prishtina javën e kaluar.