Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presioni po rritet te Barça pasi në derbi do të jetë pa Lewandowskin

Sulmuesi Robert Lewandowski ka pushtuar La Ligan këtë sezon, por trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, duhet të përballet pa të gjatë një periudhe të ngarkuar të janarit, duke filluar me derbin katalanas kundër Espanyol të shtunën. Të enjten rifillon elita e futbollit spanjoll, me ndeshjet e xhiros së 15-të, të cilat do të luhet përgjatë tri ditëve.

Sulmuesi polak është golashënuesi më i mirë i divizionit elitar të Spanjës, por është suspenduar për tri ndeshje në ligë, pasi u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen e fundit të Barcelonës para Kupës së Botës “Katari 2022”. Pavarësisht se u reduktua në 10 lojtarë, Barcelona arriti ta mposhtë Osasunan për të kaluar në pozitën e parë në tabelë, me dy pikë më shumë se kampioni në fuqi, Real Madridi, që renditet i dyti.

Xavi ka tri opsione për të zgjedhur për sulmin ndaj Espanyolit, me Ferran Torresin, Ansu Fatin dhe Memphis Depayn që kandidojnë për një vend titullari, megjithëse asnjëri prej tyre nuk është qendërsulmues natyral sikurse Lewandowski. Ndërkohë, sulmuesi i krahut, Ousmane Dembele, nënkampion i Kupës së Botës “Katari 2022” me Francën, u rikthye në stërvitje te Barcelona të hënën dhe mund të përfshihet në duelin kundër Espanyolit. Pas eliminimit zhgënjyes të Barçës në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, kalimi në krye të tabelës përpara Kupës së Botës ishte një nxitje e rëndësishme morale për ekipin katalan.

Trajneri është nën presion për të fituar trofe në sezonin e tij të dytë në krye, pasi përfundoi sezonin e kaluar nuk fitoi asnjë trofe. Barcelona shpenzoi shumë para gjatë verës, duke nënshkruar me polakun Lewandowski, pastaj brazilianin Raphinha, francezin Jules Kounde dhe lojtarë të tjerë, duke bërë sakrifica të diskutueshme financiare për ta bërë këtë. Ardhja e Lewandowskit dukej se po jepte shenja të menjëhershme pozitive, por pasi Barcelona u mund dy herë nga ish-skuadra e tij Bayern Munichu në Evropë, presioni ndaj tyre është rritur.

“Unë jam i vetëdijshëm se ne duhet të fitojmë tituj këtë sezon”, pranoi Xavi Hernandez. “Presioni është kryesisht mbi mua. Dhe unë e pranoj atë. Unë lulëzoj në sfida dhe njeriu duhet të jetë i guximshëm”.

Edhe Barcelona në derbi me Lewandowskin Sport Barcelona në derbi me Lewandowskin

Mundësia e parë e Barcelonës për të ngritur trofeun e parë këtë sezon vjen në mes të muajit janari, me ndeshjet e Superkupës së Spanjës. Megjithatë, Barcelona duhet të përballet me Espanyolin dhe Atletico Madrid në La Liga para kësaj, së bashku me Intercityn në Kupën e Mbretit.

“Do të jetë një orar i ngarkuar, por ne duhet t’ia dalim mbanë. Është e rëndësishme ta rifillojmë kampionatin me fitore dhe pastaj të synojmë edhe trofeun e Superkupës. Besoj se mund ta bëjmë këtë, pasi kemi ekip të mirë dhe këtë edicion kemi treguar paraqitje të mira”, shtoi Xavi.

Rivali i qytetit të Barcelonës, skuadra e Espanyolit po lufton këtë edicion për mbijetesë pasi gjendet në skajin tjetër të tabelës. Zë vendin e 16-të dhe është vetëm një pikë larg zonës së rënies.

Trajneri i Espanyolit, Pablo Machin, ka të ngjarë të zgjedhë Martin Braithwaiten në sulm për të luajtur kundër ish-skuadrës së tij, pas një ndarjeje të keqe verën e kaluar. Sulmuesi danez tha se ai mendonte se Xavi nuk besonte në të dhe ka një shans të shtunën për t’i dëshmuar atij se gaboi rëndë. Xavi preferoi të mbështetej te Torresi, Fati dhe Depay si mbështetës për Lewandowskin në vend të Braithwaitet.

Edhe Barcelona kthen formën dhe garën për titull Sport Barcelona kthen formën dhe garën për titull

“Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua dhe sigurisht se dua të shënoj dhe ta ndihmoj Espanyolin ta fitojë këtë derbi. Ne mund ta përballojmë Barcelonën, e cila po ashtu do të jetë pa sulmuesin e saj kryesor”, ka insistuar Braithwaite.

Xhiroja e La Ligas nis të enjten me tri ndeshje që do të zhvillohen. Dueli i mbrëmjes do të jetë ai ndërmjet Atletico Madridit dhe Elches. Të premten luhen katër ndeshje, kurse Real Madridi do të jetë mysafir i Real Valladolidit. Krahas duelit mes Barcelonës dhe Espanyolit, që luhet prej orës 14:00 në “Camp Nou”, të shtunën do të luhen edhe dy përballje të tjera, me të cilat do të përmbyllet xhiroja e 15-të e elitës së futbollit spanjoll.