Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, po i mban të fshehta informatat para “klasikes” së parë të edicionit.
Kampionia në fuqi e Spanjës, Barcelona, ka luajtur javët e fundit pa golashënuesin më të mirë, Robert Lewandowski, që mungoi për shkak të lëndimeve, si dhe pa titullarët Frenkie de Jong, Pedri Gonzalez dhe Jules Kounden. Të gjithë u kthyen në stërvitje të premten, një ditë para ndeshjes me Real Madridin, që ka një pikë më shumë në tabelën e ligës spanjolle.
Ndeshja Barcelona – Real Madrid luhet të shtunën nga ora 16:15 dhe i takon xhiros së 11-të të La Ligës spanjolle.
Xavi nuk ka thënë nëse ndonjëri prej tyre do të jetë i gatshëm për lojë, aq më tepër titullar, në një prej ndeshjeve më të shikuara në botë.
“Do të luaj me lojtarët më të mirë, ata të cilët janë 100% të gatshëm”, ka thënë trajneri i Barcelonës. “Ne nuk mund të bëjmë gabim dhe të luaj dikush që nuk është 100% i gatshëm. Ata të gjithë duan të luajnë, por stafi nuk do të marrë ndonjë rrezik”.
Edhe
Madridi i humbi katër “klasike” edicionin e kaluar, tani synon revanshin
Sulmuesi i klasit botëror, Lewandowski, pavarësisht se ka munguar në tri ndeshjet e fundit vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i skuadrës me gjashtë gola. Dy sulmuesit e tjerë, Ferran Torres dhe Joao Felix kanë katër gola së bashku, por nuk konsiderohen “vrasës” para portës.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka thënë se nuk është i shqetësuar se kush luan te Barcelona përderisa Jude Bellingham është i gatshëm për lojë. Bellinghami e frikësoi atë në fund të ndeshjes në fitoren në udhëtim te Braga në Ligën e Kampionëve në mesjavë, kur pati dhimbje muskulore. Por, Ancelotti tha të premten se ylli i ri është i gatshëm.
“Për ne është e rëndësishme që Bellinghami të luajë dhe unë do ta zgjedh formacionin më të mirë të mundshëm”, ka thënë trajneri italian i Madridit.
Pavarësisht se kush luan për skuadrën nikoqire, Xavi ka detyrë të vështirë për të gjetur mënyrën se si ta ndalë Bellinghamin dhe Vinicius Juniorin.
Derisa shpejtësia dhe aftësitë dribluese të Viniciusit kanë qenë kokëçarje për kundërshtarët e Real Madridit, Bellinghami është transformuar në top-golashënues qëkur u transferua në fillim të edicionit.
Në “El Clasicot” e kaluara, Xavi e ka përdorur qendërmbrojtësin Ronald Araujo në krahun e djathtë për t’u përballur me Viniciusin. Nëse ai e përsërit formulën e njëjtë, atëherë Joao Cancelo, lojtari me tipare më sulmuese, mund të lëvizë në mesfushë ose mund të lihet në bankën rezervë.
“E kemi Cancelon, pozita natyrale e të cilit është krahu i djathtë i mbrojtjes, por ai mund të luajë në krahun e majtë apo në mesfushë. Ai mund të përdoret në shumë pozita”, ka thënë Xavi për lojtarin që është i huazuar nga Manchester City.
Mbulimi i Bellinghamit, megjithatë, do të duhet të jetë punë ekipore, duke filluar në mesfushën me shumë dyshime për shkak të formës fizike të lojtarëve si Pedri dhe De Jong. Oriol Romelu dhe Ilkay Guendogan pritet të jenë titullarë në formacionin e Xavit, ku mund të përfshihet edhe Gavi Paez.
Edhe
Reali e Barça kërkojnë trofeun e parë të edicionit
“Orioli dhe mesfushorët e tjerë duhet të luajnë rol mbrojtës”, ka thënë Xavi. “Duhet të jemi të kujdesshëm nga tranzicionet dhe kundërsulmet e shpejta të Madridit. Por ne do të jemi të guximshëm. Nuk do ta ndryshojmë stilin apo strategjinë e lojës. Duam të hyjmë në ndeshje dhe të provojmë të dominojmë me posedim të topit”.
Bellinghami ka ndihmuar që të mbulohet zbrazëtira e lënë nga Karim Benzema që u transferua në Arabinë Saudite. Ka shënuar 11 gola në 12 ndeshje. Këtu përfshihen tetë gola në ligë.
Bellinghami ka shënuar gola nga plani i dytë, ka realizuar gola fitues, pasi ka ditur të gjendet në fushë dhe ka krijuar edhe gola individualë duke kaluar mbrojtës dhe duke e gjetur rrjetën me gjuajtje të sakta.
Kështu që Madridi e ka një avantazh të lehtë në mesfushë – në pjesën ku Barcelona ka dominuar kur Xavi ishte lojtar – ku Ancelotti normalisht e futë Bellinghamin përkrah Toni Kroosit, Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit. Kjo bën që Madridi ta ketë luksin e përdorimit të Luka Modriqit në pjesën e dytë si zëvendësues për t’i përfunduar ndeshjet.
Dyshimi që Ancelotti mund ta ketë është se ku të luaj Eduardo Camavinga, i cili mund të luajë si mesfushor defensiv, ndoshta në vend të Tchouamenit, apo si mbrojtës i krahut të majtë në vend të Ferland Mendyt.
“Camavinga ka luajtur mirë, por Mendy e ka epërsinë, sepse ka pushuar në ndeshjen e fundit”, ka thënë Ancelotti, duke shtuar se ai mund ta përdorë njërin, e tjetrin ta lërë në bankën rezervë. “Është e vështirë për një lojtar ta luajë tërë ndeshjen, kështu që ata që janë rezervistë e dinë se ende mund të japin kontribut”.
Ancelotti duhet të planifikojë ndeshjen me perlat që ka zbuluar Xavi në akademinë “La Masia” në muajt e fundit.
Një numër i madh i talenteve ka dalë nga stërvitjet e akademisë së Barcelonës, të udhëhequr nga 16-vjeçari Lamine Yamal. Ai ka thyer rekordin si lojtari më i ri që ka shënuar për Barcelonën dhe Spanjën. Pastaj është 20-vjeçari Fermin Lopez, i cili ishte lojtari më i mirë në Ligën e Kampionëve në fitoren ndaj Shakhtar Donetskut këtë javë.
Edhe
“El Clasico” merr vëmendjen në La Liga
“Të luash me lojtarë vendorë është bonus”, ka thënë Xavi.
“Lojtarët që vijnë nga ‘La Masia’ e dinë se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje. Është thelbësore”.