Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, e ka pranuar të shtunën se rivali, Real Madridi, është në formë më të mirë, por ka insistuar se skuadra e tij është shumë e fortë dhe mund ta mbrojë trofeun e Superkupës së Spanjës.
“El Clasico” do të luhet të dielën mbrëma në stadiumin “KSU Stadium” në Riad të Arabisë Saudite dhe nis në orën 20:00.
Gjigantët spanjoll do të përballen sërish në finale të Superkupës, njëjtë sikurse vitin e kaluar kur skuadra nga Katalunja e fitoi trofeun e parë nën urdhërat e Xavit.
Barcelona më pas fitoi edhe La Ligan, por në edicionin aktual, skuadra e Xavit është shtatë pikë prapa Real Madridit në ligë. Megjithatë, Xavi insiston se ai e ka “projektin fitues”.
“Do të mundohemi ta dominojmë ndeshjen, ta tregojmë personalitetin tonë, mënyrën se si luajmë dhe ta kemi në posedim topin”, ka thënë Xavi në konferencën për shtyp të shtunën.
Edhe
Barcelona synon fitoren ndaj Realit të goditur nga lëndimet
“Vijmë në formë më të dobët sesa Real Madridi, por kur topi të nisë së rrokullisuri, nuk do të ketë favoritë”, theksoi ai.
14-të herë fituesja e Superkupës së Spanjës, Barcelona, është e treta në La Liga dhe pësoi disfata befasuese nga Shakhtar Donetsku dhe Royal Antwerpi në Ligën e Kampionëve, edhe pse është kualifikuar në fazën nokaut si lidere e grupit.
Xavi ka insistuar se është i qetë pas suksesit të edicionit të kaluar.
“Një tjetër trofe mund të fitohet. Jam në pozitë më të rehatshme sesa vitin e kaluar – kemi fituar, kemi treguar se ky është një projekt fitues dhe jam më i qetë. Reali gjithmonë është i uritur për trofe por kjo është Barça e fortë. Jemi në një fazë ideale dhe kjo më jep më shumë motivim dhe do të japim gjithçka nga vetja”, ka deklaruar Xavi.
Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka thënë se mbrojtësi i krahut të djathtë, Dani Carvajal është i gatshëm për lojë, ndonëse ai nuk stërviti me shokët e skuadrës të premten.
Edhe
Pjesa e parë e “El Clasicos” i takon Barcelonës
Tekniku italian nuk tregoi nëse Kepa Arrizabalaga apo Andriy Lunini do të jenë titullar në portë.
“Nuk dua të jap ndonjë informatë. Për momentin nuk e di se kush do të jetë titullar e kush zëvendësues dhe mendoj se ata të dy e dinë këtë”, është shprehur Ancelotti.
Ancelotti e ka shansin që ta barazojë Zinedine Zidanen si trajneri më i suksesshëm i klubit, ndërsa fitorja do t’ia sillte atij trofeun e 11-të në krye të “Los Blancos”.
Miguel Munoz ka fituar 14-të trofe si trajner i Real Madridit në vitet 1960-1974, përfshirë nëntë La Liga dhe dy Kupa Evropiane.
Edhe
Barcelona, kampione e Spanjës për herë të 29-të
Ancelotti ka thënë se është i kënaqur me shansin për ta barazuar Zidanen, por ka shtuar se gjithmonë synon edhe më shumë trofe.
“Trofetë qëndrojnë në dollap, i shikon vazhdimisht. Ato janë kujtime. Por gjëja më e rëndësishme është dita e ardhshme”, ka shtuar trajneri Ancelotti.