Barcelona dhe Real Madridi do të përballen të dielën nga ora 20:00 në “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite, për një tjetër finale.
Do të jetë finalja e Superkupës së Spanjës dhe do të luftohet për trofeun e parë të këtij viti kalendarik.
Mini-turneu i Superkupës së Spanjës ka disa vjet që zhvillohet në janar, jashtë territorit evropian, për shkak të marrëveshjes sponsorizuese që ka Federata e Futbollit e Spanjës.
Barcelona u kualifikua në finale pas dominimit ndaj Athletic Bilbaos. Barça fitoi 5:0, ndërsa pjesa e parë ishte thuajse e përkryer. Ekipi i trajnerit Hansi Flick ishte në formë të mirë dhe shfaqi formë të mirë në posedim të topit dhe intensitet të lartë në sulm. Raphinha ishte prej lojtarëve kryesorë në atë ndeshje dhe me lojtarët e tjerë të ekipit, e konfirmuan formën e shkëlqyer.
“Ne jemi Barcelona dhe gjithmonë dëshirojmë të triumfojmë”, ka thënë të shtunën para ndeshjes Flick, trajneri gjerman i Barcelonës. Ai ka theksuar se në ndeshjet e “El Clasicos”, skuadra nuk ka nevojë për motivim shtesë, ndërsa e ka vlerësuar lart Real Madridin.
“Real Madridi ka lojtarë fantastikë, të klasës botërore, dhe niveli i ekipit është jashtëzakonisht i lartë. Megjithatë, jam i fokusuar tek ekipi im. Duam ta fitojmë këtë trofe dhe duhet ta mposhtim Real Madridin. Nuk kemi nevojë për motivim shtesë”, ka nënvizuar Flick, i cili ka thënë se triumfi i mundshëm do t’u ndihmonte edhe për vazhdimin e kampanjës.
“Triumfi në Superkupë mund të na japë vetëbesim të madh për pjesën e mbetur të sezonit. E kam një ndjesi të mirë dhe mendoj se lojtarët do të paraqiten në nivelin më të lartë, për klubin dhe për tifozët. Finalja është ndryshe dhe siç është ndryshe çdo ndeshje me Real Madridin. Nuk ka favorit. Do të mundohemi ta bëjmë më të mirën për të fituar”.
Te Barcelona të gjithë lojtarët, përveç Gavit dhe Andreas Christensenit, janë të gatshëm për lojë.
Situata është ndryshe te Real Madridi që është goditur nga shumë lëndime të lojtarëve së fundmi. Sulmin pritet ta udhëheqë sërish Vinicius Junior bashkë me Gonzalo Garcian. Kylian Mbappe mbërriti vonë në Arabinë Saudite pas lëndimit që kishte, por mund të ketë minutazhë në finale të Superkupës.
Klubi mbretëror e pati më të vështirë avancimin në finale. Skuadra e udhëhequr nga trajneri Xabi Alonso e mposhti Atletico Madridin në gjysmëfinale, 2:1, në derbin shumë të tensionuar. Por, veprimet individuale bënë që Reali të luftojë për trofeun e parë të vitit. Federico Valverde realizoi supergol nga gjuajtja e lirë, ndërsa Rodrygo e shënoi golin tjetër në fitoren e Real Madridit ndaj Atleticos. Golin e vetëm për Atleticon e realizoi Alexander Sorloth.
Trajneri Xabi Alonso theksoi po ashtu se ndeshja ndaj Barcelonës është e veçantë dhe dëshiron që ta fitojë.
“E kemi mundësinë të luajmë në finalen e veçantë. Do të jetë i rëndësishëm edhe aspekti emocional por duhet të jemi të përgatitur. Mbappe është shumë më mirë. Ka stërvitur me ekipin dhe është i gatshëm për lojë. E njohim Barcelonën dhe ata na njohin ne. Në ndeshje të tilla nuk ka sekrete”, ka theksuar Xabi Alonso para ndeshjes.
Në finalen e vitit të kaluar të Superkupës, Barcelona fitoi 5:2. Ndërkohë, në ndeshjen e fundit në La Liga të zhvilluar mes tyre në muajin tetor, Real Madridi triumfoi në “Santiago Bernabeu”, 2:1.