Sport

Xavi tenton ta përsëritë arritjen e Guardiolas kundër Real Madridit

Trajneri Xavi Hernandez është në prag të udhëheqjes së Barcelonës në finalen e Kupës së Mbretit dhe të përsëritë një sukses të arritur për herë të fundit kur Pep Guardiola ishte në krye të këtij ekipi më shumë se një dekadë më parë. Barcelona, ​​fituesja e vitit 2021 e eliminuar në 1/8 e finales vitin e kaluar, mund të kthehet në finale vetëm me një barazim kundër Real Madridit në “Camp Nou” të mërkurën prej orës 21:00. Por, një fitore, do të bënte që Barcelona të regjistrojë triumfin e katërt rresht ndaj Real Madridit për herë të parë qëkur Guardiola fitoi pesë ndeshje radhazi nga viti 2008 deri në vitin 2010. Klubi katalanas nuk e ka mposhtur kurrë Real Madridin katër herë radhazi në të njëjtin sezon. E mundi Realin katër herë në edicionin 1982/83, por jo në ndeshje të njëpasnjëshme. Barcelona humbi 3:1 ndaj Realit në “El Clasicon”e parë të sezonit në ligën spanjolle, por që atëherë fitoi 3:1 në finalen e Superkupës së Spanjës, 1:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës dhe 2:1 në ndeshjen tjetër të ligës.

“Unë mendoj se ata janë të lënduar dhe do të duan të hakmerren pas humbjeve në tri ndeshjet e fundit”, tha Xavi të martën. “Por ata gjithmonë janë të fortë dhe nuk dorëzohen kurrë”.

Hera e fundit që Barcelona kishte fituar tri ndeshje radhazi ishte në sezonin 2011/12. Real Madridi fitoi pesë radhazi kundër rivalit Barçës në periudhën 2020/22. Ecuria fituese e Guardiolas përfshinte një fitore 6:2 në stadiumin “Santiago Bernabeu” dhe një triumf 5:0 në “Camp Nou”. Fitorja më e fundit e Barcelonës në ligë kundër Realit bëri që t’i afrohet titullit të parë sezoni 2018/19. Ka një epërsi të rehatshme prej 12 pikësh kur kanë mbetur edhe 11 ndeshje deri në fund të edicionit.

“El Clasico është ndeshja më e rëndësishme, si për tifozët ashtu edhe për lojtarët”, tha trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti. “Ka një rivalitet shumë të madh dhe kjo është një garë e rëndësishme. Duhet të luajmë një ndeshje të mirë dhe të përpiqemi të avancojmë tutje, pasi gjërat nuk shkuan mirë në ndeshjet e fundit”.

Pas triumfit në Superkupën e Spanjës, kalimi në finalen e Kupës do t'i jepte Xavit një shans për të udhëhequr Barcelonën drejt trofeut të dytë të sezonit. E ky sukses për Barcelonën, do të vinte pas një periudhe të zymtë në të cilën u përball me një krizë financiare që çoi në largimin e Lionel Messit në Paris Saint-Germain. Ancelotti gjithashtu shpreson të mbajë gjallë shanset e Real Madridit për të fituar një trofe tjetër përveç Superkupës së UEFA-s dhe Botërorit të klubeve. Real Madridi është i gjallë edhe në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet me Chelsean në fazën çerekfinale.

Real Madridi nuk e ka fituar Kupën që nga viti 2014, kur mundi Barcelonën herën e fundit që doli në finale. Barcelona është klubi më i suksesshëm i kësaj gare me 31 trofe të fituar. Triumfi i saj dy vite më parë shënoi titullin e fundit të skuadrës me Messin në radhët e saj. Barcelona ka pasur sukses në “El Clasicot” e fundit nën drejtimin e Xavit, me një formacion që përfshin katër mesfushorë dhe Gavin në një pozicion më të avancuar.

Trajneri gjithashtu mund të zgjedhë të përdorë tre sulmues, me Ansu Fatin ose Ferran Torresin që luajnë përpara së bashku me Raphinhan dhe Robert Lewandowskin. Xavi ende nuk do të jetë në gjendje të llogarisë në katër lojtarë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve - Ousmane Dembele, Pedri, Frenkie de Jong dhe Andreas Christensen. Ancelotti do t'i ketë në dispozicion të gjithë titullarët e tij të rregullt, me përjashtim të mbrojtësit të majtë, Ferland Mendyt të dëmtuar. Karim Benzema realizoi “hat-trick” në fitoren 6:0 ndaj Valladolidit në ligën spanjolle, dhe sulmuesi francez është në mesin e veteranëve të klubit madrilen që po u mbarojnë kontratat në fund të sezonit. Kështu që, jo vetëm për Benzeman, por edhe për mesfushorët Luka Modriq e Toni Kroos, ky mund të jetë “El Clasico” i fundit.

Edhe kapiteni i Barcelonës, Sergio Busquets, lojtari me rekord prej 47 paraqitjesh në “El Clasico”, është në një situatë të ngjashme, pasi kontrata e tij me klubin katalanas i skadon në verë.