Një Barcelona e plagosur përballet me Real Madridin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit të enjten, duke kërkuar një fitore në “El Clasico” për të bërë që basti i trajnerit Xavi Hernandez në një moment kritik të sezonit të shpërblehet. Pavarësisht nga dyshja e dëmtuar Pedri dhe Ousmane Dembele, Xavi pushoi lojtarët e tjerë të rëndësishëm në humbjen 1:0 nga Almeria të dielën, duke i dhënë përparësi ndeshjes së kupës dhe duke hedhur poshtë mundësinë për të rritur epërsinë ndaj Realit në 10 pikë në La Liga.
Megjithatë, në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Santiago Bernabeu” prej orës 21:00, Barcelona do të jetë edhe pa sulmuesin Robert Lewandowski, por Ansu Fati është i gatshëm për lojë. Duke thënë atë që Xavi e përshkroi si “paraqitjen më të keqe të sezonit" në Almeria, Barcelona pësoi humbjen e dytë radhazi pasi u eliminua edhe nga Liga e Evropës nga Manchester Unitedi në “Old Trafford” mesjavën e shkuar.
Një humbje e tretë në Madrid mund ta çojë skuadrën e Xavit drejt rënies, pasi epërsia prej shtatë pikësh në kampionat ndaj Realit mund të mos jetë e mjaftueshme deri në fund të sezonit për ta fituar titullin. Vetë Xavi, në konferencën për shtyp, ka pranuar se përballja me Realin vjen në një moment mjaft të vështirë për ekipin e tij. Sipas tij, Reali mbetet favorit në këtë ndeshje.
“Ne e mposhtëm Realin në Superkupë, por ata e shkatërruan Liverpoolin në Champions. Kështu që, më duhet ta pranoj se ata mbetën favoritë. Kemi të bëjmë me kampionin në fuqi të La Ligës dhe të Evropës, që do të thotë se na pret një ndeshje tejet e vështirë në një moment kritik”, është shprehur Xavi. “Ne jemi në rindërtim dhe sigurisht se do të japim gjithçka nga vetja për një rezultat të favorshëm për ndeshjen e kthimit, por nuk do të jetë lehtë. Jemi në situatë të privilegjuar për ta fituar titullin, por epërsia prej shtatë pikësh nuk do të thotë asgjë”.
Kështu që, çdo gjë tjetër përveç një rezultati të mirë në Madrid do të ngrejë pikëpyetje të mëtejshme për vendimin e trajnerit për të pushuar Ronald Araujon, Jules Kounden, Raphinhan dhe Alejandro Balden kundër Almerias. Xavi ka thënë se nëse skuadra e tij fiton La Ligën, por jo Kupën e Mbretit, do të llogaritet ende si një sezon i mirë, me Superkupën e Spanjës tashmë të fituar. Megjithatë, humbja e kësaj faze të dyfishtë kundër rivalëve të përhershëm do të lejonte dyshime të mëtejshme rreth projektit të Barcelonës që shpenzoi shumë në transferime. Barcelona solli disa lojtarë, përfshirë Lewandowskin nga Bayern Munich, si dhe Kounden e Raphinhan. Me një këmbë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas fitores 5:2 ndaj Liverpoolit në “Anfield Road”, skuadra e Carlo Ancelottit mund ta kthejë vëmendjen për të marrë hak ndaj Barcelonës pas humbjes që ia shkaktoi në finalen e Superkupës së Spanjës. Barcelona fitoi 3:1 në Arabinë Saudite në janar, teksa fitoi trofeun e parë të epokës së Xavit. Hera e fundit që Madridi ngriti trofeun e Kupës ishte fitorja 3:1 ndaj Barcelonës në finalen e vitit 2014 në “Mestalla”. Reali për këtë ndeshje do të jetë pa treshen e dëmtuar, David Alaba, Rodrygo dhe Ferland Mendy.
“Tani, Kupa e Spanjës është gjëja më e rëndësishme sepse jemi shumë afër për ta fituar trofeun. Jemi larg vetëm 270 minuta nga trofeu, të cilin synojmë ta fitojmë. Besoj se gabimet që i bëmë në Superkupë nuk do t’i përsëritim këtë herë ndaj Barcelonës. Nuk është ndeshje e rëndësishme, por duam të kemi avantazh para duelit të kthimit, pasi kjo është shumë e rëndësishme”, tha Ancelotti.