Real Madridi nuk ka realizuar dy prej tri synimeve të mëdha. U ndal në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe po ashtu e humbi finalen e Kupës së Mbretit. Është prapa edhe në garën për titull në La Liga, por megjithatë është ende në lojë.
Pesë xhiro para fundit, Madridi është i dyti me 72 pikë. 76 pikë në vendin e parë i ka Barcelona.
Për fundjavë, përkatësisht për xhiron e 34-t, te Real Madridi jo vetëm që presin në fitore, por shpresojnë edhe në gabim të Barcelonës. Më pas në xhiron e 35-të është klasikja Barcelona – Real Madrid, që zhvillohet më 11 maj nga ora 16:15.
Barcelona të shtunën prej orës 21:00 luan në udhëtim ndaj Real Valladolidit. Dështimi i Barçës për të fituar do të ishte befasi shumë e madhe. Valladolidi është i fundit me vetëm 16 pikë dhe pa gjasa për mbetje në elitë.
Reali të dielën nga ora 14:00 e pret Celta Vigon. Kjo skuadër i ka 46 pikë në vendin e shtatë.
Reali së fundi është goditur nga lëndimet e shumta. Të lënduar janë Antonio Rudiger, David Alaba, Ferland Mendy, Eduardo Camavinga, Eder Militao dhe Dani Carvajal.
Edhe
Barcelona synon rekord historik në “El Clasico”
Barça ka 14 ndeshje pa humbje në ligë. Skuadra e Hansi Flickut është në rrugë të mirë për ta fituar tripletën. Por ka orar shumë të ngjeshur.
Barçës për ndeshjen ndaj Valladolidit do t’i kthehet mbrojtësi i krahut, Alejandro Balde. Por do të ketë mungesa të rëndësishme si ajo e Robert Lewandowskit dhe Jules Koundes.
Barcelona pritet të kursejë energji për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Championsit me Interin, që luhet të martën në “Giuseppe Meaza”. Ndeshja e parë përfundoi 3:3.