Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Madridi i humbi katër “klasike” edicionin e kaluar, tani synon revanshin

El Clasico

Real Madridi dhe Kylian Mbappe në formë, e presin Barcelonën të dielën me synimin për ta goditur rivalen, pasi i humbën të gjitha “El Clasicot” e edicionit të kaluar. Klasikja e futbollit spanjoll luhet të dielën nga ora 16:15 dhe i takon xhiros së dhjetë të La Ligas.

Mbappe ka shënuar dhjetë gola në nëntë xhiro – katër më shumë se ndjekësi i parë, Julian Alvarez. Pesë gola të tjerë sulmuesi francez i ka realizuar në Ligën e Kampionëve në dy muaj të kampanjës së re.

Barcelona udhëton në “Santiago Bernabeu” me shumë shqetësime fizike të lojtarëve dhe trajneri Hansi Flick do të jetë në tribuna pasi u ndëshkua me karton të kuq për protesta në fitoren 2:1 ndaj Gironas.

Lamine Yamal do të jetë titullar për vizitorët, pasi ishte i pranishëm edhe në dy xhirot e kaluara. Ai e ka sanuar lëndimin muskulor që e pati. Por, Barcelona do të jetë pa Robert Lewandowskin që ka lëndim muskulor po ashtu, shkruan “Associated Press”. Nuk pritet të luajë as Raphinha.

Ndeshjet vendimtare

Edhe Mbappe hesht Barcelonën, klasikja i takon Real Madridit Futboll Mbappe hesht Barcelonën, klasikja i takon Real Madridit

Të gjithë sytë do të jenë në “El Clasicon” e parë të sezonit. Trajneri Xabi Alonso do të mundohet ta ndalë këtë seri negative kundër Barcelonës.

Barcelona i fitoi të gjitha katër ndeshjet e zjarrta në kampanjën e kaluar. Shënoi  16 gola dhe pranoi shtatë.

Barcelona serinë e fitoreve e nisi me atë 4:0 në Madrid në La Liga. Më pas fitoi 5:2 në Superkupën e Spanjës, 3:2 në finalen e Kupës së Mbretit dhe 4:3 në La Liga sërish.

“Në edicionin e kaluar rivalët kishin paraqitje të mira dhe ne duhet ta ndalim hovin e tyre duke qenë më të mirë në fazën e sulmit”, ka thënë portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois.

Madridi e mposhti Juventusin 1:0 me golin e Jude Bellinghamit të mërkurën, por skuadra e Alonsos pësoi humbje 5:2 nga Atletico Madridi në një tjetër ndeshje të madhe në La Liga muajin e kaluar.

Barcelona vjen në këtë ndeshje pas fitores 6:1 ndaj Olympiacosit. Mesfushori Fermin Lopez shënoi “hat-trick”, kurse Marcus Rashford i shtoi dy gola të tjerë.

Madridi ka 24 pikë, dy më shumë se Barcelona.

Skuadra e vendit të tretë, Villarreali, dhe Atletico e vendit të katërt do të mundohen që ta ngushtojnë këtë diferencë të pikëve.

Edhe Barça e Reali janë gati për klasike të zjarrtë Futboll Barça e Reali janë gati për klasike të zjarrtë

Villarreali luan te Valencia të shtunën, derisa Atletico udhëton te skuadra e vendit të pestë, Real Betisi, të hënën. Atletico dhe Betisi kanë nga 16 pikë.

Mungesat

Përveç Lewandowskit, Barcelona është pa të lënduarit e tjerë, Dani Olmo dhe portierin Joan Garcia. Wojciech Szczesny do të jetë në portë.

Flick ka thënë javën e kaluar se shpreson që Raphinha të rikuperohet nga lëndimi në këmbë dhe të jetë i gatshëm për lojë. Ferran Torres ishte në skuadrën e Barcelonës për duelin ndaj Olympiakosit, por nuk u inkuadrua.

Madridi do të jetë pa mbrojtësit Trent Alexander-Arnold dhe Antonio Rudiger.

Lojtarët që duhet shikuar

Rashfordi është në pozitë të mirë për të qenë titullar te Barcelona, bashkë me Yamalin. Futbollisti i huazuar nga Manchester Unitedi ka pesë gola dhe gjashtë asistime, qëkur u transferua nga Manchester Unitedi.

Pau Cubarsi pritet të jetë në mbrojtjen e Barcelonës. Përkrah 18-vjeçarit pritet të jetë Eric Garcia apo Ronald Araujo. Por të gjithë e kanë një detyrë – ta ndalin hovin e Mbappes.

Edhe Barcelona synon rekord historik në “El Clasico” Futboll Barcelona synon rekord historik në “El Clasico”

“Të gjithë e dinë se sa i talentuar është Mbappe dhe të gjithë lojtarët e tjerë të madrilenëve janë të klasës botërore”, ka thënë Cubarsi. “Por ne duhet të fokusohemi në lojën tonë”.

Arda Guler është kthyer në befasinë më të madhe të Madridit, duke e plotësuar me sukses zbrazëtinë e lënë nga Toni Kroos dhe Luka Modriq. Mesfushori 20-vjeçar nga Turqia ka bërë pesë asistime dhe ka shënuar tre gola në të gjitha garat.