Robert Lewandowski ka marrë dënim nga La Liga, por trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, do të llogaritë në shërbimet tij, duke nisur prej derbit të Katalunjës kundër Espanyolit të shtunën.
Barcelona dhe Espanyoli luajnë nga ora 14:00 në ndeshjen që i takon xhiros së 15-të të La Ligës spanjolle.
Sulmuesi polak është golashënuesi më i mirë i ligës ishte suspenduar me tri ndeshje, pasi u përjashtua nga loja në ndeshjen e fundit të Barcelonës, para nisjes së Kupës së Botës në Katar. Megjithatë, atij i është pezulluar dënimi përkohësisht dhe ai është përfshirë në ekip për duelin me Espanyolin.
Pavarësisht se kishte mbetur me 10 futbollistë, Barcelona me rikthim të rezultatit mposhti Osasunan dhe mbeti sipër në tabelë.
Xavi ka tri opsione në sulm, Ferran Torresin, Ansu Fatin dhe Memphis Depayn, që kërkojnë vendin e titullarit. Mirëpo, polaku pritet t’i prijë sulmit të Barçës.
Ndërkohë, futbollisti i krahut, Ousmane Dembele, që me Francën shkoi deri në finale të Botërorit, u rikthye në stërvitje me Barçën të hënën dhe mund të inkuadrohet në lojë kundër Espanyolit të shtunën.
Pas eliminimit të befasishëm të Barcelonës nga faza grupore e Ligës së Kampionëve, lëvizja drejt kreut të tabelës mund të jetë ndihmesë e madhe për Barcelonën në aspektin mental.
Trajneri i skuadrës e ka presionin e fitimit të trofeve në sezonin e dytë në krye të skuadrës, pasi edicionin e kaluar e mbylli pa trofe të fituar.
Barcelona në verë transferoi Lewandowskin, Raphinhan e Brazilit, mbrojtësin francez, Jules Kounde, dhe disa lojtarë të tjerë.
Shansi i parë për të fituar një trofe për Xavin me Barcelonën do të jetë mesi i janarit, në Superkupën e Spanjës.
Para se të arrijë deri në atë pikë të garës, Barcelona do të ballafaqohet me Espanyolin dhe me Atletico Madridin në La Liga fillimisht, ndërsa me Intercityn luan në Kupën e Mbretit.
Espanyoli në këtë sezon po lufton për mbetje në elitën e futbollit spanjoll, pasi është në pjesën e poshtme të tabelës.