Diant Ramaj e kompletoi një tjetër ndeshje tek Ajaxi, të dielën në “Eredivisie” të Holandës. Është një tjetër sinjal se skuadra e madhe holandeze llogaritë në shërbimet e kosovarit, pavarësisht se fillimi ishte shumë i vështirë për portierin 22-vjeçar.
Ramaj tek Ajaxi u transferua nga Eintracht Frankfurti në fillimin e gushtit të këtij viti dhe nënshkroi kontratë të vlefshme deri në vitin 2028. Ai ka bërë shtatë paraqitje me skuadrën holandeze në këtë edicionin.
Nga skuadra gjermane u largua në mungesë të hapësirës, duke u paraqitur në vetëm dy ndeshje të Bundesligës. Grumbullohej vazhdimisht me skuadrën e parë, por kryesisht ishte portier rezervist.
Ramaj është me prejardhje nga Kosova, kurse është zhvilluar në futbollin gjerman te skuadra si Stuttgarti, Kickersi e Heidenheimi. Tek Eintracht Frankfurti ishte prej vitit 2021.
“Prindërit e mi u lindën në Kosovë dhe u larguan në drejtim të Gjermanisë për shkak të luftës. Ata lanë prapa gjithçka dhe përfunduan pa asgjë në një shtet të ri. Historia dhe karakteri i tyre më kanë formuar në atë që jam sot”, ka thënë Ramaj së fundmi në një intervistë dhënë për “De Telegraaf” në Holandë.
Edhe
Ramaj krenar me lëvizjen tek Ajaxi, premton shumë
Fakti që ai nuk është rritur me pasuri, e ka kalitur edhe më shumë në jetë.
“Gjithmonë e kujtoj se prej nga vijë. Si fëmijë nuk kemi pasur shumë. Kemi luajtur futboll me Dijonin, vëllain tim, dhe ishim krejtësisht të lumtur me futbollin e rrugës, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes e me shoqëri”, është shprehur portieri i talentuar.
Ramaj e vlerëson veten si futbollist me mentalitet të fortë e fitues. Për këtë përgëzon kohën e kaluar me prindërit, të cilët i kanë dhënë kulturën e duhur.
“Mendoj se ka të bëj edhe me të qenit kosovar, sepse njerëzit në Ballkan janë mendërisht shumë të fortë. Jam 22-vjeçar por më vlerësojnë si lojtar me shumë përvojë”, ka deklaruar Ramaj.
Ramaj në intervistën e dhënë për mediumin holandez po ashtu ka treguar për karrierën në Gjermani. Ka theksuar se rruga deri aty ku ka arritur nuk ka qenë fare e lehtë.
Në ekipin e parë të Frankfurtit ka qenë gjithmonë në hijen e portierit Kevin Trapp.
Edhe
E ardhmja e Ramajt te Dortmundi varet nga Kobel
“Ai është një prej portierëve më të mirë në Gjermani. Kam mësuar shumë nga ai”, thotë Ramaj.
Ramaj në elitën e futbollit holandez në pesë ndeshje ka pranuar nëntë gola. Në një ndeshje e mbajti portën e paprekur.
“Gjërat po shkojnë mirë, por portierët asnjëherë nuk duhet të ndalen, duhet të punojnë vazhdimisht. Dembelizmi shkakton edhe gabimet dhe thuajse çdo gabim nga portierët i kushton ekipit me gol. Duhet të jem i fokusuar në çdo minutë të lojës”, ka deklaruar Ramaj.
Ajaxi në edicionin aktual ka grumbulluar vetëm 12 pikë dhe është në mesin e tabelës. Po e kalon gradualisht krizën, ndërsa kjo është edhe meritë e Ramajt.
Ramaj që tek Ajaxi u transferua për tetë milionë euro, nuk ka luajtur asnjëherë për ndonjë përfaqësuese seniore.
Edhe
Ramaj përsërit dëshirën të luajë për Gjermaninë e jo Kosovën
Ka qenë pjesë e grupmoshave të Gjermanisë.
Me Gjermaninë U18 ka zhvilluar dy ndeshje. Pesë ndeshje i pati me Gjermaninë U19, dhe tri të tjera me Gjermaninë U20. Por nuk ka arritur të depërtojë në ekipin e parë. E ka mundësinë që të luajë edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.