Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ponte Prizreni më i mirë se Bora në duelin e parë të plejautit

Ponte Prizreni e ka fituar ndeshjen e parë të plejautit ndaj Borës dhe pothuajse e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës në basketboll edhe për sezonin e ardhshëm.
Ekipi nga Prizreni e mposhti bindshëm Borën në duelin e parë të plejautit që u zhvillua në Prishtinë me shifrat 123:86.
Ndeshja e dytë, do të zhvillohet të shtunën në Suharekë, ku Ponte Prizreni është vendas dhe i mjafton të mos pësoj humbje me më shumë se 37 pikë për të qenë pjesë e elitës së basketbollit kosovar edhe edicionin 2023/24. Vetëm dy çerekët e parë të këtij dueli ishin paksa të barabartë me Borën që nuk lejonte Ponte Prizrenin të shkëputej në rezultat. Dhjetëminutëshin e parë e fitoi Bora me një pikë epërsi (31:30), përpara se Ponte Prizreni të rikthehet në çerekun e dytë dhe të shkojë në pushim me avantazhin prej gjashtë pikëve – 60:54.

Shkëputjen e madhe, Ponte Prizreni në rezultat e bëri në çerekun e tretë, ku në dhjetëminutëshin e fundit, u fut me epërsi prej 22 pikëve (92:70).

Pas këtij avantazhi, çereku i fundit ishte më i lehtë për ekipin mysafir, por që u kujdes ta përfundoj ndeshjen e parë me një epërsi të konsiderueshme prej 37 pikëve. Adam Grant me 32 pikë e Muhamedali Janjeva me 29 sosh, kanë udhëhequr Ponte Prizrenin drejt fitores, ndërsa te Bora u veçua Olsi Kurtaj me 20 pikë të realizuara. Ponte Prizreni përfundoi i parafundit në pjesën e rregullt të sezonit në Superligë, ndërsa Bora doli nënkampione në Ligën e Parë.