Ponte Prizreni do të luajë në Superligën e Kosovës në basketboll edhe edicionin e ardhshëm. Biletën për mbetje në Superligë, Ponte e ka siguruar përmes plejautit. Skuadra prizrenase në dy ndeshje ishte më e mirë se Bora.
Ndaj Borës, Ponte të shtunën fitoi me rezultatin 91:81. Ndeshja u luajt në Suharekë, ku Ponte ishte vendase.
Skuadra prizrenase bëri shkëputjen në pjesën e parë dhe më pas kontrolloi rezultatin deri në fund.
Wayne Arnold ishte më i miri te Ponte Prizreni me 20 pikë, 11 asistime e tetë kërcime. Urim Zenelaj i kishte 16 pikë e 13 kërcime. 16 pikë i shënoi edhe Meriton Ismaili, që shtoi edhe gjashtë asistime.
Te Bora më i miri ishte Jon Ismajli me 20 pikë e dhjetë kërcime.
Ponte Prizreni ishte i parafundit në Superligë, ndërsa Bora ishte nënkampione në Ligën e Parë. Dy skuadrat do të luajnë në nivelet e njëjta edhe edicionin e ardhshëm.