Sport

Pogba ua ka dhënë 100 mijë euro zhvatësve

Paul Pogba

Fituesi i Kupës së Botës, Paul Pogba, pagoi 100 mijë euro për një grup të organizuar, që përfshin vëllain e tij. Grupi kriminal po përpiqej t’ia zhvaste milionat futbollistit, thanë zyrtarët francezë, të martën. Prokurorët francezë po hetojnë pretendimet se Pogba ishte shënjestër e zhvatjes nga vëllai i tij Mathias Pogba dhe miqtë e fëmijërisë. Ata kërkuan 13 milionë euro nga mesfushori francez dhe e frikësuan vazhdimisht, duke pretenduar se ai nuk i mbështeti pasi u bë yll ndërkombëtar i futbollit.

Një zyrtar i afërt me hetimin konfirmoi të martën se Pogba u tha hetuesve se kishte paguar tashmë 100 mijë euro. Zyrtari foli në kushte anonimiteti, në përputhje me praktikën zyrtare, gjatë një hetimi që është duke vazhduar.

Sipas raportimeve të mediave franceze, Paul Pogba u tha hetuesve se zhvatësit donin ta diskreditonin duke pretenduar se ai i kërkoi një magjistareje që t’i bënte magji yllit tjetër të Francës, Kylian Mbappes, që ai të lëndohej dhe të mos mund të luante. Pogba i mohoi këto akuza.

Mathias Pogba bëri një postim në “Twitter” duke përmendur Mbappen: “Kylian, a e kupton tani? Nuk kam asgjë kundër teje, kjo që them është për të mirën tënde, gjithçka është e vërtetë dhe e ditur. Magjistarja dihet!”.

Mbappe nuk është përgjigjur dhe nuk ka komentuar mbi skandalin që duket se rrjedh nga një grindje familjare. Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graet, minimizoi skandalin që përfshin dy nga yjet e Francës, vetëm katër muaj para fillimit të Kupës së Botës në Katar.

“Këto janë vetëm thashetheme në këtë pikë”, tha Le Graet në një intervistë të martën.

Lidhur me Paul Pogban, i cili aktualisht është jashtë fushës për shkak të një dëmtimi në gju, Le Graet shtoi: “Unë e dua Paulin. Shpresoj që kjo të mos e vërë në dyshim vendin e tij në Kupën e Botës dhe në ekipin francez”.

Rasti u bë publik pasi Mathias Pogba postoi në mediat sociale kërcënime për të ndarë zbulime “shpërthyese” për vëllain e tij, agjenten e Paulit, Rafaela Pimentan dhe Mbappen. Në videot në “Instagram”, të publikuara në fundjavë, Mathias dukej se po lexonte një deklaratë në italisht, spanjisht, anglisht dhe frëngjisht, duke premtuar “zbulime të mëdha”.

“E gjithë kjo ka të ngjarë të jetë shpërthyese”, thotë Mathias në ato video.

Transmetuesi publik francez “BFM” raportoi të martën se Paul Pogba bëri pagesën prej 100 mijë eurosh në muajin prill, pasi u kërcënua nga njerëz të maskuar dhe të armatosur në një apartament në Paris në mars, ndërsa ishte në Francë për ndeshjet e përfaqësueses.

Grupi i bëri kërkesa të tjera mesfushorit Pogba në qendrën stërvitore të Juventusit në Torino. Pogba tha se Mathiasi ishte në mesin e atyre, sipas raporteve të “France-Info”, gjithashtu një transmetues publik.

Në përgjigje ndaj akuzave, Paul Pogba lëshoi një deklaratë përmes avokatit të tij, që tha se pretendimet e vëllait të lojtarit të Juves ishin “kërcënime dhe përpjekje për zhvatje nga një bandë e organizuar kundër tij”.

Zyra e prokurorit të Parisit tha të hënën se hapi një hetim këtë muaj për tentativën për zhvatje të organizuar, e cila po trajtohet nga Policia kundër korrupsionit. Detaje të mëtejshme që përfshijnë një hetim në vazhdim nuk u dhanë.

Paul Pogba, 29 vjeç, fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 2018 dhe u kthye këtë verë te Juventusi pas gjashtë sezonesh të kaluara te Manchester Unitedi. Mathias Pogba, tre vjet më i madh, është gjithashtu futbollist që ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës duke luajtur me ekipe të niveleve më të ulëta në Evropë.