Prokurorët francezë po hetojnë akuzat se fituesi i Kupës së Botës, Paul Pogba, ishte në shënjestër të përpjekjeve për zhvatje nga vëllai i tij dhe miqtë e fëmijërisë.
Zyra e prokurorit të Parisit tha të hënën se hapi një hetim në fillim të këtij muaji për tentativën e zhvatjes së organizuar, e cila po trajtohet nga policia kundër korrupsionit. Nga Zyra e prokurorit nuk jepen detaje të tjera për hetimin që po zhvillohet.
Transmetuesi publik “France-Info” raportoi se Pogba i tha policisë se një grup shokësh të fëmijërisë i kërkuan 13 milionë euro dhe e frikësuan vazhdimisht, duke pretenduar se ai nuk i mbështeti ata pasi u bë yll ndërkombëtar i futbollit.
Në grupin që iu afrua Pogbas në qendrën stërvitore të Juventusit në Torino, ylli francez tha se ishte edhe vëllai i tij, Mathias Pogba.
Rasti u bë publik pasi Mathias Pogba postoi një video dhe bëri postime në “Twitter” fundjavën e shkuar duke kërcënuar se do të ndajë “zbulime shpërthyese” për vëllain e tij dhe yllin francez Kylian Mbappe. Në përgjigje, Paul Pogba lëshoi një deklaratë përmes avokatit të tij që tha se pretendimet e vëllait të tij ishin “kërcënime dhe përpjekje për zhvatje nga një bandë e organizuar kundër tij”.
Mesfushori 29-vjeçar, Paul Pogba, fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 2018 dhe u rikthye këtë verë te Juventusi pas gjashtë sezonesh të kaluara te Manchester Unitedi. Ai te Juventusi u transferua si lojtar i lirë. 32-vjeçari Mathias Pogba është gjithashtu futbollist që e kaloi pjesën më të madhe të karrierës me ekipe të niveleve më të ulëta në Angli dhe vende të tjera evropiane.