Sport

Rasti i zhvatjes së Paul Pogbas, në mesin e të akuzuarve edhe vëllai i tij

Mathias Pogba është akuzuar dhe arrestuar për një komplot për të zhvatuar para nga vëllai i tij, ylli i Francës dhe Juventusit, Paul Pogba.

Katër persona janë nën hetim formal për zhvatje, thonë burimet e agjencisë “AFP”.

Avokati i Mathias Pogbas, Yassine Bouzrou, ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm.

“Ne do të ankohemi ndaj vendimit”, ka thënë ai për transmetuesin francez BFMTV.

Mathias Pogba 32-vjeçar, ka pranuar se është prapa videos që është paraqitur online muajin e kaluar, ku janë premtuar “zbulime” për 29-vjeçarin Paul Pogba.

Prokurorët francezë kanë nisur hetim më herët këtë muaj, pasi Paul Pogba ishte shënjestër e zhvatjes dhe kërcënimit nga një grup kriminal.

Ai ka bërë ankesë në Prokurori në Torino më 16 korrik, duke thënë se ishte shënjestër e një tentimi shantazhi ku iu kërkuan 13 milionë euro.

Pogba u transferua te Juventusi këtë verë pasi u largua nga Manchester Unitedi.

Mathias Pogba është po ashtu lojtar i futbollit që luan për Guinean, dhe ka luajtur për ketime si Crewe, Wrexham, Crawley e Patrick Thistle.

Paul Pogba kishte thënë se ka qenë shënjestër e zhvatjes nga shokët e fëmijërisë që nga marsi dhe se në praverë i kishte paguar 100 mijë euro.

Radio “Franceinfo” raporton se grupi, i armatosur me automatikë MI6, ka kërkuar 13 milionë euro nga mesfushori francez “për shërbimet e mbrojtjes” që shtrihen për 13 vjet.

Saga nisi muajin e kaluar, kur Mathias Pogba publikoi video në rrjete sociale duke thënë se do të bëjë një seri të zbulimeve të mëdha për Paul Pogban.

“Publiku francez, anglez, italian dhe spanjoll, si dhe adhuruesit e vëllait tim – e po ashtu edhe Franca dhe Juventusi, e bashkëlojtarët e vëllait tim dhe sponsorët e tij – meritojnë të dinë gjëra të caktuara. Të vendosin ata nëse meriton admirim, respekt dhe dashuri nga publiku. Nëse e meriton të ketë një vend te skuadra e Francës dhe nderin të luajë në Kupën e Botës. Nëse e meriton të jetë titullar te Juventusi. Nëse është person i besueshëm, që do ta donte çdo skuadër”, tha në video Mathias Pogba.