Mathias Pogba është liruar nga burgu pasi ishte arrestuar dhe akuzuar në shtator për një komplot të dyshuar për marrje parash ndaj vëllait të tij dhe ish-mesfushorit të Manchester Unitedit, Paul Pogba.
Lajmi për lirimin e tij është konfirmuar nga avokati Me Yassine Bouzrou për “Le Parisien” dhe “BFMTV”.
Kërkesa për lirimin e tij në shtator ishte refuzuar.
Paul Pogba e kishte paraqitur rastin në Polici dhe kishte thënë se një grup njerëzish që nga muaji mars e kishin kërcënuar vazhdimisht atë dhe i kishin kërkuar 11 milionë euro, ndërsa ka kërkuar edhe shërbim të mbrojtjes.
Paul Pogba më parë ia kishte paguar 100 mijë funte grupit, pasi ishte kërcënuar nga njerëz të maskuar dhe të armatosur në apartamentin e tij në Paris.
Mathias Pogba kishte insistuar se ishte i pafajshëm dhe se nuk ka të bëjë me grupin që kërkonte përfitime nga vëllai i tij.