Sport

“Luftë” mes vëllezërve Pogba

Vëllai i Paul Pogbas, Mathias, ka thënë se do të publikojë informata “eksploduese” për mesfushorin e Juventusit, në një video të çuditshme të publikuar të shtunën mbrëma në “Twitter”.

32-vjeçari, i cili më parë kishte bërë karrierë në futbollin anglez në Wrexham, Crewe dhe Craweley Town, vetëm sa i është bashkuar “Twitterit”, dhe nuk është dashur shumë kohë që ai të ketë ndikim në këtë platformë të rrjeteve sociale.

Ai ka njoftuar se do të ndajë me publikun informacione për vëllain e tij, duke lënë të kuptohet se publiku dhe ish-bashkëlojtarët e tij te Manchester Unitedi, do të kthehen kundër tij.

“Publiku francez, anglez, italian dhe spanjoll, me fjalë të tjera e gjithë bota, si dhe tifozët e vëllait tim, por edhe ekipi francez dhe Juventusi, bashkëlojtarët e vëllait tim dhe sponsorët, duhet të dinë disa gjëra”, ka thënë Mathias Pogba.

“Në mënyrë që të merret një vendim nëse ai meriton admirim, respekt dhe dashuri nga publiku. Nëse ai e meriton vendin në ekipin e Francës dhe nderin për të luajtur në Kupën e Botës. Nëse ai e meriton të jetë titullar te Juventusi. Nëse ai është person i besueshëm, që secili lojtar e meriton të jetë në anën e tij”, vazhdoi ai.

Mathias Pogba më pas e ktheu vëmendjen te menaxherja dhe avokatja e vëllait të tij, Rafaela Pimenta.

Pimenta do ta përcjellë karrierën e Paul Pogbas pas vdekjes së ish-menaxherit Mino Raiola në muajin prill.

Mathias Pogba e ka vënë në pikëpyetje aftësinë e saj për ta mbajtur këtë pozitë.

Ai ka shtuar se do t’ua bëjë me dije fansave dhe lojtarëve “integritetin e saj, profesionalizmin e saj... besnikërinë e saj”, në mënyrë që ata të dinë nëse ajo është e duhura për t’i ‘përfaqësuar ata’.

Mathias e përfundoi videon duke iu referuar Kylian Mbappes, duke pretenduar se “ka gjëra të rëndësishme” për të thënë rreth sulmuesit të Paris Saint-Germainit.

“Do të ju them gjëra të rëndësishme për të dhe do të ketë elemente dhe shumë dëshmi që do t’i konfirmojnë fjalët e mia”, ka shtuar Pogba, kur foli për Mbappen.

“Gjithçka mund të jetë eksploduese dhe do të bëj shumë zhurmë”, tha ai.

Avokatët e Paul Pogbas, Yeo Moriba – e cila është nëna e tij – dhe Pimenta, menjëherë u janë përgjigjur kërcënimeve të Mathiasit.

“Deklarimet e fundit të Mathias Pogbas në rrjetet sociale, për fat të keq nuk janë befasi. Ato në fakt janë kërcënime dhe tentime për zhvatje ndaj Paul Pogbas”, kanë thënë ata.

Ende nuk është e qartë arsyeja pse Pogba ka përmendur emrin e Mbappes.