Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pogba lë prapa lëndimet, kthehet në fushë pas gati një viti

Paul Pogba hyri në lojë në minutën e 69-të kur rezultati ishte 2:2. Ai pati një gjuajtje të bllokuar nga një mbrojtës dhjetë minuta më vonë, por nuk u përfshi në dy golat e tjerë që i dhanë Juventusit fitoren 4:2 në derbin lokal kundër Torinos, të martën mbrëma. Megjithatë, kthimi i Pogbas në fushë i dha fund pritjes së gjatë prej gati në viti në një ndeshje zyrtare, ka shkruar të mërkurën AFP. Për herë të fundit, Pogba kishte luajtur në humbjen e Manchester Unitedit 4:0 nga Liverpooli më 19 prill të vitit të shkuar, ndeshje në të cilën u zëvendësua pas vetëm dhjetë minutash.

Shkaku i lëndimit të gjurit, mesfushori që do të jetë 30 vjeç më 15 mars, nuk mundi ta mbyllte sezonin me “Djajtë e Kuq”, duke i dhënë fund me pikëllim pesë vjetëve të kaluara në veri të Anglisë. Por rikthimi i tij verën e kaluar te Juventusi, ku ai kishte luajtur midis viteve 2012 dhe 2016, nuk ndryshoi asgjë në situatën e tij, pasi Pogba vazhdoi të kishte probleme fizike, ku e humbi edhe Kampionatin Botëror “Katari 2022”. I dëmtuar në menisk (gju), Pogba kishte zgjedhur fillimisht të shmangte operacionin në fillim të gushtit 2022 për të mos humbur Botërorin, madje edhe rifilloi stërvitjet, për hidhërimin e Massimiliano Allegrit, i cili kishte kundërshtuar një zgjedhje të tillë. Francezi më në fund duhej të vendoste t'i nënshtrohej një operacioni një muaj më vonë për ta humbur përfundimisht edhe shpresën e fundit që e kishte për të luajtur në turneun e Katarit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pogba nuk kishte luajtur ende asnjë minutë të vetme me Juventusin në një ndeshje zyrtare deri ndaj Torinos, ndonëse ishte aktivizuar pak minuta me fanellën e ekipit italian në miqësoren e luajtur në SHBA në korrik kundër Deportivo Guadalajaran. Ajo që e ka frustruar deri më tani Juventusin, ishte se nuk kishte asnjë mundësi për ta përdorur një lojtar që merr 8 milionë euro pagë në vit. E privuar nga një lider në mesfushë, “Zonja e Vjetër” u eliminua në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për t’u transferuar në Ligën e Evropës, garë në të cilën është kualifikuar në 1/8 e finales. Në Serie A, Juventusi ka rënë poshtë në tabelë pasi iu hoqën 15 pikë nga Federata e Futbollit të Italisë shkaku i mashtrimit financiar. Mirëpo, rikthimi i Pogas në fushë ka dhënë sinjale pozitive për ekipin dhe këtë e ka pranuar edhe trajneri Allegri.

“Pogba bëri një punë të mirë për aq sa luajti në fushë dhe atë pas një mungese prej gati një viti. Kështu që, kthimi i tij na ndihmon shumë për të arritur objektivat që i kemi. Me Pogban në dispozicion do të jetë dukshëm më të fortë dhe besoj se brenda një kohe të shkurtër do të jetë në formën e tij më të mirë”, ka thënë Allegri.

Mungesa e Pogbas ka ndikuar shumë edhe te Franca, e cila humbi në finalen e Botërorit “Katari 2022” nga Argjentina. Mirëpo, kthimi i tij në fushë është një lajm i mirë për përzgjedhësin Didier Deschamps. Pogba rikthehet në kohën e duhur, pasi Deschamps më 16 mars do ta shpallë listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e para kualifikuese të Euro 2024, me Holandën (24 mars) dhe Irlandën (27 mars). Në rast se ftohet nga Deschamps, atëherë Pogba do të jetë një kandidat shumë serioz për mbajtjen e shiritit të kapitenit pas tërheqjes së portierit Hugo Lloris.

“Sigurisht, që kthimi i Pogbas më gëzon pasi është një lojtar shumë i rëndësishëm. Unë do t’i monitoroj paraqitjet e tij përpara se ta publikoj listën. Ai po kthehet pas gati një viti dhe kjo është shumë e rëndësishme”, ka shtuar Deschamps.

Me rikthimin e tij në fushë, Pogba gjithashtu shpreson të fshijë një vit veçanërisht të trazuar. Ai ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2026, ndërsa me fanellën e ekipit italian ka fituar katër tituj kampioni në Serie A përpara se të largohej në vitin 2016.