Mesfushori i Juventusit, Paul Pogba e ka cilësuar të padrejtë suspendimin prej katër vjetësh për doping. Ai ka thënë se është “i mërzitur, i befasuar dhe me zemër të thyer”.
Francezi 30-vjeçar francez rezultoi pozitiv në testin për doping pas ndeshjes së parë të sezonit që Juventusi e luajti kundër Udineses. Ai ishte pezulluar në shtator dhe nuk u stërvit me Juventusin që nga ajo kohë.
“Gjithçka që kam ndërtuar në karrierën time profesionale është larguar nga unë”, ka thënë ai në një deklaratë, shkruan “BBC” të enjten.
Ish-futbollisti i Manchester Unitedit ka shtuar se do ta apelojë këtë vendim.
Pogba ishte përzgjedhur rastësisht për t’u testuar pas ndeshjes së parë të sezonit më 20 gusht me skuadrën e Juventusit.
Testi pozitiv ishte konfirmuar nga gjykata italiane e antidopingut, edhe në mostrën e dytë në muajin tetor. Dhe zyra e prokurorisë e antidopingut ka kërkuar suspendim katërvjeçar.
Juventusi i ka thënë “BBC-së” se këtë lajm e kanë marrë nga gjykata antidoping të enjten në mëngjes.
Pogba beson se vendimi është “jo i drejtë” dhe se “ai kurrë nuk do të përdorte diçka të jashtëligjshme me vetëdije apo qëllimisht”.
“E gjithë historia do të qartësohet kur të jem i lirë nga të gjitha akuzat”, ka thënë ai.
“Si sportist profesionist nuk do të bëja kurrë diçka për ta rritur performancën time duke përdorur substanca të ndaluara dhe asnjëherë nuk do t’i mashtroja sportistët e tjerë apo përkrahësit e çfarëdo ekipi për të cilin unë kam luajtur apo edhe kundërshtarët”, ka shtuar Pogba.
Ky vendim nënkupton se Pogba nuk do të mund të luajë deri në vitin 2027, kur ai do të jetë 33-vjeçar, pasi përfshihet periudha prej kur ai dështoi në testin e parë për doping.
Pas suspendimit të parë, menaxherja e Pogbas, Rafaela Pimenta ka thënë me siguri të madhe se “Paul Pogba asnjëherë nuk ka dashur ta thyejë asnjë rregull”.
Testosteroni është hormon që rrit performancën e sportistëve.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën në vitin 2018 u kthye në Juventus si lojtar i lirë nga Manchester United në vitin 2022. Por luajti vetëm 12 ndeshje që nga kthimi i tij i dytë në Juventus.
Më herët për gjigantin italian, Pogba kishte luajtur nga viti 2012 deri në vitin 2016, ku ishte paraqitur në 178 ndeshje në të gjitha garat dhe kishte shënuar 34 gola. Më pas i ishte bashkuar Unitedit për shumën rekorde të asaj kohe, 105 milionë euro.
Rikthimi në Torino ka qenë i goditur me lëndime, prej të cilave nuk arriti të paraqitej as në Botërorin e Katarit në vitin 2022.
Pogba ka zhvilluar 51 minuta në total si zëvendësues në edicionin aktual, kundër Bolognas dhe Empolit.
Në sezonin e kaluar luajti në 108 minuta në gjashtë ndeshje të Serie A të Italisë. Kishte tri paraqitje dhe një asistim në Ligën e Evropës, ndërsa 11 minuta i luajti edhe në Kupën e Italisë. Në total pati 162 minuta të zhvilluar dhe asnjë gol të shënuar.