Paul Pogba i është bashkuar Monacos si futbollist i lirë pasi ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin elitar të Francës të shtunën. Mesfushori francez, 32-vjeçari Pogba, synon që ta ringjallë karrierën si futbollist, pasi ishte i dënuar me doping.
Pogba ishte suspenduar pasi iu bë testi për doping në mënyrë të rastësishme, menjëherë pas ndeshjes hapëse të Juventusit ndaj Udineses në edicionin 2023-24.
Pogbës në shkurt të vitit 2024 iu dha suspendimi katërvjeçar pasi doli pozitiv për DHEA, substancë e cila shton nivelin e testosteronit. Suspendimi më pas iu ul për 18 muaj në tetor, pas ankesës së suksesshme që e pati në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Klubi italian Juventusi njoftoi në muajin nëntor se me marrëveshje të dyanshme e ka ndërprerë kontratën me mesfushorin francez. Kontrata e Pogbas me “zonjën e vjetër” skadonte në qershor të vitit 2026.
Kjo do të jetë hera e parë që fituesi i Botërorit me Francën do të luajë në Ligue 1 të Francës.
Në vendimin përfundimtar të CAS-it, u konfirmua se Pogba pa qëllim ka përdorur dehidropiandrosteron (DHEA), një substancë që e rrit testosteronin dhe është në listën e substancave të dënueshme në Agjencinë Botërore të Antidopingut (WADA).
Megjithatë, është vendimtare të përmendet se DHEA-ja ka efekt vetëm te gjinia femërore.
Pogba e nisi karrierën te Manchester Unitedi para se të kalonte te Juventusi, skuadër me të cilën e fitoi Serie A në secilën prej katër sezoneve të para, ndërsa dy herë ishte edhe fitues i Kupës së Italisë.
Pogba ishte transferuar nga Juventusi te Manchester Unitedi në vitin 2016 për 105 milionë euro, që ishte shumë rekorde e parave të shpenzuara për një futbollist në atë kohë. Katër herë kampioni i Serie A i fitoi dy trofe me klubin e madh anglez, Kupën e Ligës dhe Ligën e Evropës, që në edicionin e tij të parë.
Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2018 pati rikthim jo edhe aq të suksesshëm te Juventusi për shkak të lëndimeve. Ai ishte transferuar në klubin torinez sërish në vitin 2022 si futbollist i lirë nga Manchester Unitedi.
Më pas, ai luajti për Francën në vitin 2022, por operimi në gju e ndali atë që të paraqitej në Kupën e Botës në Katar.
Pogba është prej lojtarëve më të talentuar që ka pasur Franca. Me Francën ai i ka zhvilluar në total 91 ndeshje. Kontribuoi shumë në triumfin e “Les Bleus” në Kupën e Botës së vitit 2018 në Rusi. Madje, kishte shënuar gol edhe në finalen e zhvilluar ndaj Kroacisë. Franca e kishte mposhtur Kroacinë me rezultatin 4:2. Tani 32-vjeçari Pogba kishte realizuar për mrekulli në minutën e 59-të, për 3:1.
Tani pritet të jetë ndihmesë e madhe për skuadrën e njohur franceze, Monaco. Monaco, deri në gjysmën e kampionatit në Francë ishte prej kandidatëve për ta fituar titullin. Por, ishte skuadra e Paris Saint-Germainit ajo e cila triumfoi në fund. Monaco e përfundoi sezonin në vendin e tretë me 61 pikë. PSG-ja i kishte 84 pikë si kampione, kurse Marseille i pati 65 pikë.
Monaco është kualifikuar direkt për fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.
Pogba i pati 39 gola e 51 asistime për Manchester Unitedin në 233 paraqitje, ndërsa për Juventusin i zhvilloi gjithsej 190 ndeshje. Kontribuoi me 34 gola e 39 asistime për skuadrën e madhe italiane.