Sport

Pogba i kushton Juventusit 65 mijë euro në minutë

Paul Pogba

Rikthimi i mesfushorit Paul Pogba te Juventusi para fillimit të këtij edicioni bëri bujë të madhe në botën e futbollit. Megjithatë, francezi nuk ka arritur ta dëshmojë veten tek ekipi italian për shkak të lëndimeve të shpeshta. Pogba, të dielën pësoi një lëndim tjetër, këtë herë të muskulit të këmbës dhe sipas mediumeve italiane thuhet se tashmë e ka mbyllur edicionin para kohe.

Në fakt, Pogba deri më tani këtë edicion, ka luajtur vetëm 161 minuta në të gjitha garat për Juventusin: 108 minuta në Serie A, 42 minuta në Ligën e Evropës dhe 11-të minuta në Kupën e Italisë. Bazuar në këto të dhëna, Pogba i ka kushtuar Juventusit rreth 65 mijë euro për çdo minutë që e ka kaluar në fushë.

30-vjeçari u transferua si lojtar i lirë te Juventusi, duke firmosur kontratë deri në vitin 2026, me pagë vjetore prej 8 milionë eurosh, plus dy milionë euro tjera bonuse. Megjithatë, ai para fillimit të edicionit pati telashe, pasi e lëndoi gjurin dhe iu nënshtrua operimit për t’u rikthyer në fushë muaj më parë.