Portieri i Marokut, Yassine Bounou, u ul në karrigen e tij, e lëvizi kokën dhe tha: “Më pickoni, jam duke ëndërruar”.
Jo, ai nuk po ëndërronte. Maroku me të vërtetë është në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Para se të arrinte në Katar, Përfaqësuesja e shtetit të Afrikës Veriore i kishte fituar vetëm dy nga 16 ndeshje në Kupë të Botës.
Përzgjedhësi i Marokut është në këtë pozitë për vetëm katër muaj. Lojtarët ishin të talentuar por luftonin ndaj një “tradite” pa suksese në turne të mëdhenj.
Por, si arriti Maroku të dilte i pari në grupin që përbëhej nga Belgjika e vendit të dytë në renditjen botërore dhe Kroacia, finalistja e Botërorit 2018, dhe më pas ta eliminonte Spanjën dhe Portugalinë – dy prej skuadrave të fuqishme evropiane – e të bëhej shteti i parë i Afrikës që shkon në gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe krenaria e botës arabe?
Edhe
Hakimi udhëheq Marokun në Kupën e Botës
Përgjigjja qëndron mbi vendimin e guximshëm të Federatës së Futbollit dhe besimi i palëkundur i përzgjedhësit Walid Regragui në një plan loje që po ndiqet nga një grup i bashkuar lojtarësh e me shumë talent.
Asnjë përfaqësuese nuk ka arritur që ta thyejë kodin maroken. A mundet Franca në gjysmëfinale?
Ndryshimi i përzgjedhësit
Themeli i këtij tregimi për një skuadër autsajdere ishte krijuar në gusht kur Vahid Halilhoxhiq – një trajner boshnjak me eksperiencë që e udhëhoqi Marokun drejt Botërorit nëpërmjet kualifikimeve afrikane – u shkarkua nga Federata për shkak se ai refuzoi që ta përzgjidhte Hakim Ziyechin, një prej lojtarëve më të mirë të vendit. Federata përmendi “vizionet e papranueshme” si arsye e shkarkimit të Haliloxhiqit dhe zëvendësimit të tij me Regraguin, ish-futbollist i Marokut i cili kishte udhëhequr Wydad Casablancan drejt titullit të Ligës së Kampionëve në Afrikë. Regragui ishte i gatshëm që ta udhëhiqte skuadrën me gjeneratën më të mirë marokene.
Skuadër me kualitet
Ekipi asnjëherë nuk kishte pasur kaq shumë lojtarë nga klubet evropiane. Dy mbrojtësit e krahut, Achraf Hakimi dhe Noussair Mazraoui, janë titullar te Paris Saint-Germaini dhe Bayern Munichu respektivisht; futbollisti i krahut Ziyech luan për Chelsean, edhe pse shpeshherë jo titullar; portieri Bounou dhe sulmuesi Youssef En-Nesyri janë te Sevilla në Spanjë; Sofyan Amrabat është mesfushor defensiv te Fiorentina në Itali; qendërmbrojtësi Hayef Aguerd është te West Hami në Premier League, ndërsa kapiteni Romain Saiss së fundmi ishte pjesë e Wolverhamptonit. Detyra e Regraguit ishte e dyfishtë: t’i futë lojtarët në funksion me një sistem që mund të nxjerrë rezultate në Kupë të Botës dhe që ata të besojnë se mund ta shokojnë botën.
“U kam thënë atyre: ‘Nuk keni ardhur në Kupë të Botës të luani vetëm tri ndeshje’”, tha selektori.
Ai ka krijuar kryevepër.
Taktika
Edhe
Marokenët shikojnë kah e ardhmja pas përfundimit të ëndrrës për titullin e botës
Regragui ka renditur skuadrën me formacionin 4-1-4-1, me mbrojtje të thellë dhe pranë portës. Amrabat qëndron para mbrojtësve, pa marrë aventura para. Kundër skuadrave që vlerësoheshin më të mëdha në këtë kupë të botës, mesfusha me linjën e katër lojtarëve u kthye edhe më prapa për ta krijuar një tjetër mburojë defensive, duke e lënë En-Nesyrin të vetëm në sulm. Kur kundërshtari humb posedimin e topit, Regragui ka stërvitur lojtarët të dalin para me një shpejtësi të madhe në kundërsulm, duke përdorur energjinë e Hakimit dhe Mazraouit, për t’i plotësuar aftësitë e mëdha të Ziyechit dhe futbollistit tjetër të krahut, Sofiane Boufal.
Prej izolimit, En-Nesyri befasisht e gjen veten me pesë apo gjashtë bashkëlojtarë përreth.
Kjo qasje kërkon disiplinë dhe nivel të lartë të përqendrimit mental.
“Ne kemi plan të qartë të ndeshjes – të gjithë duhet të punojnë”, ka thënë Regragui. “Ne po i tregojmë botës se mund të kesh sukses edhe nëse nuk ke shumë talent apo para”.
Shifrat
Statistikat prapa rrugëtimit të Marokut janë të jashtëzakonshme. Skuadra ka pranuar vetëm një gol – dhe ka qenë një autogol i Aguerdit kundër Kanadasë – që do të thotë se Kroacia, Belgjika, Spanja dhe Portugalia kanë dështuar ta thyejnë Marokun. Marokenët kanë lejuar vetëm dhjetë gjuajtje në kornizën e portës në pesë ndeshje. Ata kanë lejuar mesatare prej tri gjuajtjeve në portë dhe kanë mbijetuar me posedim të topit prej vetëm 29.8% për ndeshje. Kundër Spanjës, Maroku pati 343 pasime, ndërsa kundërshtarja 1,041.
“Nuk mendoj se ata kanë vrapuar kaq shumë në jetën e tyre”, ka thënë Regragui. “Kur luan me kaq shumë zemër, i jep vetes një shans”.
Tifozët
Edhe
Kampionia sfidohet nga përfaqësuesja që befasoi të gjithë
Ndihma për lojtarët e Marokut vjen nga tifozët në çdo ndeshje. Ata po e përcjellin në Katar rrugëtimin historik të ekipit që njihet ndryshe si “Luanët e Atlasit”. Çdo ndeshje dukej si vendëse për Marokun, pasi tifozët e flaktë përkrahën skuadrën, ndërsa kundërshtarët si Spanja e Portugalia i kanë përcjellë me vërshëllima e me tallje. Tifozët kanë qenë gjithandej në Doha dhe me krenari kanë mbajtur flamurin e Marokut dhe kanë veshur fanellat e kuqe.
Trofeu i vetëm i madh i Marokut është Kupa e Afrikës në vitin 1976. Maroku është vetëm dy fitore larg tejkalimit të kësaj lavdie dhe të bëhet fituesi më i pabesueshëm i Kupës së Botës.