Ecuria e pabesuar e Marokut në Kupën e Botës është gati të kalojë provën përfundimtare. Gjysmëfinalisti i parë i Botërorit nga Afrika, Maroku, përballet me kampionen në fuqi, Francën dhe sulmuesin e saj, Kylian Mbappe.
Gjysmëfinalja e së mërkurës mbrëma, Franca – Maroku, ka konotacione kulturore dhe politike. Maroku ishte nën sundimin francez nga viti 1912 e deri në vitin 1956. Kjo gjysmëfinale, përkatësisht paraqitja e Marokut në të, është larg prej asaj që e kanë parashikuar shumica e tifozëve të futbollit.
Franca dhe Maroku luajnë prej orës 20:00 në “Al Bayt Stadium” në ndeshjen që do ta përcaktojë finalistin e dytë të Botërorit në Katar. Maroku i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë duke mposhtur Belgjikën në fazën e grupeve dhe më pas duke eliminuar fuqitë evropiane, Spanjën dhe Portugalinë, në fazën eliminatore, për të arritur në gjysmëfinale. Asnjë përfaqësuese afrikane apo arabe nuk ka arritur kaq larg. Është një nga tregimet më të mëdha në historinë 92-vjeçare të Kupës së Botës dhe Maroku premton se tregimi nuk ka përfunduar ende. Kështu të paktën ka insistuar trajneri Walid Regragui në konferencën për shtyp të martën. Ai ka thënë se ekipi maroken dëshiron më shumë, pra të arrijë në finale të Botërorit.
“Mund të mendoni se jam i çmendur, por ne duam të shkojmë në finalen e Kupës së Botës. Ne nuk jemi të kënaqur me arritjen në gjysmëfinale dhe që jemi vetëm skuadra e parë afrikane që e bën këtë. Ne duam të shkojmë më shumë se kaq. Dhe kjo është arsyeja pse lojtarët e mi janë të gatshëm të japin gjithçka nga vetja. Stafi është gjithashtu gati të japë gjithçka për të bërë një përmbysje tjetër, siç bëmë kundër Belgjikës, Kroacisë, Spanjës dhe Portugalisë. Ne po përballemi me ekipin më të mirë në botë. Por ne jemi të fokusuar në atë që duam të arrijmë”, insistoi Regragui.
Për dallim prej Marokut, Franca sapo e ka kaluar testin më të vështirë në turneun e Katarit. Në çerekfinale e kaloi Anglinë, në një rast të rrallë kur Mbappe mbeti i heshtur. Mbappe është golashënuesi më i mirë i Botërorit me pesë gola të realizuar deri më tani dhe sigurisht se do të jetë kërcënimi më i madh për Marokun. Megjithatë as për Mbappen nuk do të jetë lehtë ta thyejë mbrojtjen e Marokut, që ka pranuar vetëm një gol deri më tani. Në fakt, goli i vetëm i pranuar nga Maroku në Katar ishte autogoli që Nayef Aguerd e shënoi ndaj Kanadasë në fazën e grupeve.
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, e ka parasysh mbrojtjen e çeliktë të Marokut, të cilën është i bindur se do ta thyejë në gjysmëfinale.
“Maroku është mbrojtur më mirë se çdo ekip tjetër. Marokenët kanë mbrojtjen më të mirë në këtë Botëror. Janë jashtëzakonisht të organizuar dhe këtë e kam parasysh pasi i kam përcjellë të gjitha ndeshjet e Marokut dhe kam paralajmëruar lojtarët. Ne do të përpiqemi ta thyejnë atë mbrojtje dhe të krijojmë vetë mundësi për të shënuar gola”, është shprehur Deschamps.
Maroku mund t’i ketë dy mungesa ndaj Francës, por kjo nuk e shqetëson trajnerin Regragui. Ai ka insistuar se ekipi është gati ta “ndryshojë mentalitetin” e Afrikës dhe u ka thënë lojtarëve që mos të pranojnë asnjë rezultat tjetër veç fitores.
“Ne do të luftojmë deri në fund për të avancuar tutje. Do të luftojmë për vete, pastaj vendet afrikane dhe botën arabe”, insistoi Regragui.
Ndërkohë sa i përket Mbappes, Regragui tha se nuk ka përgatitur asnjë plan të veçantë për sulmuesin francez. Ai shtoi se Achraf Hakimi do të merret me këtë çështje dhe pranoj se Franca nuk varet vetëm nga një lojtar. Te Maroku vlerësojnë se “shpirti ekipor” dhe përkrahja e madhe në stadiumin “Al Bayt” do ta ndihmojnë për ta kaluar Francën, e cila do ta ketë edhe përkrahjen e presidentit Emmanuel Macron.
Madje, sipas trajnerit Regragui, Maroku do të ndihet sikur vendas ndaj Francës, gjë që e ka parasysh shumë mirë homologu i tij, Deschamps. Tekniku francez ka kërkuar nga lojtarët që të bëhen gati për një atmosferë të zjarrtë e armiqësore.
“Ne i kemi tifozët më të mirë në botë, të cilët kanë ardhur për të na përkrahur. Do të jetë kjo një ndeshje për ne sikur në shtëpi dhe përkrahja është shumë e rëndësishme”, u shpreh Regragui.
Edhe Franca mund të mos jetë e kompletuar pasi në stërvitjen e së martës kanë munguar Adrien Rabiot dhe Dayot Upamecano. Përkundër kësaj, kapiteni i Francës, Hugo Lloris ka thënë se ekipi ka një mundësi unike për të avancuar në finale për herën e dytë rresht. Mirëpo, Lloris pranoi se nuk do të jetë aspak lehtë. Shtoi se Maroku do të jetë shumë i motivuar dhe nuk do të ndalet vetëm me arritjen në gjysmëfinale. Ai tha se Franca ka vetëm respekt dhe admirim për Marokun, të cilin e quajti një kundërshtar të frikshëm.
“Ne mund të kemi vetëm respekt dhe admirim për atë që ka bërë Maroku në këtë Kupë Bote. Marokenët nuk janë rastësisht këtu, pasi kanë mposhtur ekipet si Belgjika, Spanja e Portugalia. Maroku do të jetë një kundërshtar i frikshëm për ne në gjysmëfinale dhe nuk do të jetë aspak lehtë”, u shpreh Lloris. “Është gjysmëfinale dhe mundësi unike për të shkuar në finale. Edhe pse arritja deri këtu tashmë është sukses, më besoni se marokenët nuk do të ndalen me kaq për shkak se do të duan të shkojnë edhe më larg. Ne jemi gati dhe besoj se do të jemi në nivelin më të mirë të mundshëm”.
Edhe Lloris theksoi se Franca do të jetë gati për ta përballuar atmosferën armiqësore në stadium, duke shtuar se ekipi është i fokusuar për ta bërë hapin tjetër, pra arritjen në finale.