Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pesëshja shqiptare e Zuerichut feston titullin e kampionit në stadiumin e rivalit të madh

Njëjtë si 16 vjet më parë, Zuerichu ka fituar titullin në stadiumin e rivalit më të madh, Baselit. Zuerichu të dielën pasdite fitoi 2:0 në “St. Jakob-Park” në Basel për ta siguruar titullin e kampionit të Zvicrës për edicionin 2021/2022.

Për Zuerichun është titulli i 13-të i Zvicrës dhe i pari që nga viti 2009. Në vitin 2006, Zuerichu kishte festuar pikërisht në Basel.

Ndeshja e së dielës i ka takuar javës së 32-të të kampionatit helvetik. Katër xhiro para fundit, Zuerichu udhëheq në tabelë me 72 pikë, plot 16 më shumë se Baseli i vendit të dytë.

Pjesë shumë e rëndësishme e Zuerichut janë pesë futbollistë shqiptarë. Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu dhe Lindrit Kamberi ndaj Baselit, njëjtë si në ndeshjet e fundit, kanë luajtur në vijën e fundit të mbrojtjes. Blerim Xhemaili ishte pjesë e mesfushës, ndërsa Bledian Krasniqi qëndroi në stol.

Te Baseli, Taulant Xhaka startoi, ndërsa Pajtim Kasami luajti prej minutës së 25-të.

Xhemaili asistoi në golin e parë të Zuerichut, të cilin e shënoi Assan Ceesay.