Një vit e gjysmë pas kthimit në Zuerich, Blerim Xhemaili ka festuar titullin e kampionit të Zvicrës. Mesfushori 36-vjeçar ishte prej lojtarëve të rëndësishëm të Zuerichut që të dielën fitoi titullin e 13-të të kampionit. Zuerichu festoi në stadiumin e rivalit më të madh, Baselit.
Xhemaili është një prej pesë futbollistëve shqiptarë të Zuerichut. Mirlind Kryeziu, Fidan Aliti, Lindrit Kamberi e Bledian Krasniqi janë të tjerët.
“Është ëndërr e bërë realitet. E shijoj çdo moment. Është titulli më i madh në karrierën time”, ka thënë Xhemaili për “20min.ch”.
Gjatë karrierës, Xhemaili ka fituar edhe dy tituj të tjerë të kampionit me Zuerichun, në vitin 2006 e 2007. Në vitin 2005 e kishte fituar edhe Kupën e Zvicrës. Por trofe ka edhe në vende të tjera. Kupën e Italisë e ka fituar dy herë, në vitet 2012 e 2014. Ka fituar edhe Superligën e Turqisë në vitin 2015, kur fitoi edhe Kupën e Turqisë.
“Më mbush me krenari fakti se kam ndihmuar Zuerichun të kthehet aty ku e ka vendin. Është satisfaksion i madh”, ka thënë ish-reprezentuesi i Zvicrës.
Mirlind Kryeziu e Fidan Aliti janë shquar në mbrojtje, ndërsa në ndeshjet e fundit atyre iu bashkua edhe Kamberi. Xhemaili ka pranuar se mospranimi i golave ishte anë e fortë e Zuerichut.
Edhe
Pesëshja shqiptare e Zuerichut feston titullin e kampionit në stadiumin e rivalit të madh
Zuerichu është kthyer në majë të futbollit helvetik, ndonëse pak vjet më parë ishte në kategorinë e dytë. Dhe ndikimi i shqiptarëve në këtë ngritje çmohet.
Xhemaili ka vlerësuar lart trajnerin Andre Breitenreiter.
“Ai është faktori kryesor. Ai na ka treguar rrugën dhe ne lojtarët e kemi ndjekur atë. Ne i kemi besuar asaj që na ka thënë. Pa të nuk do të festonim titullin. Ka bërë punë të jashtëzakonshme. Shikoni çka ka bërë me lojtarët. Për shembull me Assan Ceesay. Ai ishte jashtë planeve edicionin e kaluar, tani është golashënuesi më i mirë. E njëjta ishte me lojtarë si Aliti, Kryeziu apo Kramer”.
-
“Kolonia” shqiptare në Zuerich gati për festë në stadiumin e rivalit më të madh
-
Xhemaili përgatitet për festë me Zuerichun dhe shtyn pensionimin të paktën edhe për një vit
-
Roli vendimtar i Xhemailit në rrugëtimin e Zuerichut drejt titullit të kampionit
-
Xhemaili e mendon “pensionimin” dhe punën si menaxher lojtarësh