Kanë përfunduar Lojërat Evropiane që prej 21 qershorit janë mbajtur në Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Ishte ky edicioni i tretë i Lojërave Evropiane, ndërsa janë paraqitur afro 7000 sportistë nga 48 shtete evropiane. Po ashtu mori pjesë një delegacion i vogël i sportistëve refugjatë. Më të suksesshmit ishin sportistët e Italisë që fituan plot 35 medalje të arta. Italia gjithsej i fitoi 100 medalje, ndërsa kishte 26 të argjendta dhe 39 medalje të bronzta. Me 21 medalje të arta, e dyta u rendit Spanja. Spanjollët i kishin gjithsej 57 medalje. 21 medalje i ka edhe Ukraina që renditet e treta.
Gjithsej ukrainasit kanë fituar 41 medalje në Lojërat Evropiane. Gjermania përfundoi e katërta në renditje me 20 medalje ari. Gjithsej Gjermania i kishte 63 medalje, por renditja bëhet në bazë të medaljeve të arta. Franca ishte e pesta me 17 medalje ari dhe 62 medalje gjithsej. Pasojnë Polonia, Britania e Madhe, Hungaria, Turqia dhe Holanda që kompletojnë dhjetëshen e parë. Me dy të arta, Shqipëria renditet e 32-të.
Medalje të arta për Shqipërinë fituan karateisti Alvin Karaqi dhe atletja Luiza Gega. Karaqi fitoi të artën në kategorinë deri 84 kilogramë, ndërsa Luiza Gega në vrapim 3000 metra me pengesa. Për Shqipërinë janë medaljet e para në Lojërat Evropiane. Në dy edicionet e kaluara nuk kishte fituar medalje. Sportistë nga 41 vende të ndryshme kanë fituar medalje në Lojërat Evropiane. Në fund të listës janë Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Monako me nga një medalje të argjendtë. Kosova për herë të parë ka mbetur pa medalje. Në ngjarjen në Poloni nuk morën pjesë sportistët e Rusisë dhe të Bjellorusisë. Ata nuk u lejuan të garojnë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Në Baku në vitin 2015 dhe në Minsk në vitin 2019, më të suksesshmit ishin sportistët e Rusisë. Tani primatin evropian e mori Italia.