Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

41 vende kanë fituar medalje, Kosova e pret nesër

Plot 41 vende evropiane kanë fituar tashmë medalje në Lojërat Evropiane që po mbahen në Poloni. Në këtë ngjarje shumësportëshe marrin pjesë sportistë nga 48 vende evropiane si dhe një ekip i refugjatëve. Kosova është prej shtatë shteve që ende nuk ka medalje në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane.

Në dy edicionet e kaluara kishte fituar medalje falë xhudisteve. Xhudistet nuk janë në Poloni, kështu që medalja pritet nga boksierja Donjeta Sadiku. Ajo bokson të mërkurën dhe në rast të fitores siguron të paktën të bronztën.

Adutë të tjerë të Kosovës për medalje nuk ka. Në krye të listës së vendeve më të suksesshme është Italia me 63 medalje, prej tyre 19 të arta. Spanja është e dyta me 43 medalje gjithsej, prej tyre 18 të arta. 17 të arta 9i ka Ukraina, që është e treta në ranglistë. Gjithsej ukrainasit kanë 34 medalje. Rusia e Bjellorusia nuk janë pjesë e ngjarjes kontinentale. Në fund të listës janë Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Monako që kanë nga një medalje të argjendtë. Këto tri vende momentalisht e ndajnë pozitën e 39-të. Shqipëria për herë të parë ka fituar medalje në Lojërat Evropiane. Madje dy të arta, me karateistin Alvin Karaqi dhe atleten Luiza Gega. Aktualisht Shqipëria është e 29-ta.