(Daily Mail) – Federata e Futbollit e Rusisë po e shqyrton mundësinë e largimit nga UEFA dhe bashkimin me Konfederatën e Azisë, pasi klubet e saj dhe Përfaqësuesja ruse u suspenduan nga garat për shkak të luftës ndaj Ukrainës. Si UEFA, ashtu edhe FIFA morën vendim për t’i pezulluar skuadrat ruse nga garat ndërkombëtare, në fund të muajit shkurt, pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dha urdhrin për ta sulmuar Ukrainën. Klubet nga Premier League e Rusisë nuk do të mund të paraqiten në garat e UEFA-s, si Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës, për një kohë të pacaktuar, me Spartak Moskën që u përjashtua nga Liga e Evropës pa luajtur në fazën e 1/8 së finales të kësaj gare. Po ashtu, Përfaqësuesja e Rusisë (meshkujt) u përjashtua nga plejofit për kualifikim në kampionatin botëror “Katari 2022”, ndërsa ajo e femrave pritet të përjashtohet nga Kampionati Evropian që do të mbahet këtë verë. Kështu që, bazuar në raportet e fundit, thuhet se Federata ruse tashmë po e konsideron kalimin nga UEFA në Konfederatën e Futbollit të Azisë (AFC), ku sajti rus “Championat” u ka kërkuar personaliteteve të profilit të lartë që të debatojnë pro dhe kundër kësaj ideje. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë Përfaqësuesja e Rusisë do të zhvendosej në turneun kualifikues të Azisë për Kupën e Botës dhe do të konkurronte për pjesëmarrje në Kupën e Azisë në vend të Kampionatit Evropian. Ndërkohë, skuadrat elitare ruse do të garonin në Ligën e Kampionëve të Azisë, përkatësisht në Kupën AFC në vend të Championsit dhe Ligës së Evropës të organizuar nga UEFA. Megjithatë, siç pranon raporti, ndryshimi do të duhej të ratifikohej nga federatat e tjera aziatike dhe mund të mos jetë aspak i pranueshëm. Ekziston një precedent i ndërrimit të konfederatave nga ana e përfaqësueseve, me Izraelin që ishte pjesë e AFC-së mes viteve 1954-1974 përpara se të dëbohej. Ata nuk ishin të lidhur me ndonjë konfederatë futbolli derisa u bashkuan me UEFA-n në vitin 1991. Kazakistani fillimisht ishte anëtar i AFC-së përpara se të bashkohej me UEFA-n në vitin 2002, ndërsa Australia u largua nga Konfederata e Oqeanisë për të luajtur në Azi në vitin 2005. Ish-reprezentuesi i Rusisë, Andrei Kanchelskis, që ka bërë karrierë edhe te Manchester Unitedi, nuk beson se Federata ruse mund t’i bashkohet Konfederatës aziatike. Po ashtu, ai nuk është i bindur që Rusia do të marrë ndonjë dënim të ashpër nga UEFA, e cila tashmë e ka suspenduar nga garat.
“Konfederata e Futbollit të Azisë? Unë nuk e di nëse një lëvizje e tillë mund të bëhet dhe nuk jam aspak i sigurt për të”, është shprehur Kanchelskis. “Ndërsa e gjithë kjo është në nivelin e bisedimeve, nuk mendoj se do të ketë një pezullim kaq serioz për Rusisë nga UEFA”.
Mirëpo, ai ka shtuar se nëse UEFA shqipton ndonjë pezullim edhe më të rëndë, atëherë Federata ruse duhet ta ketë në opsion kalimin në Konfederatën aziatike.
“Natyrisht, si përfaqësuesja ashtu edhe klubet tona duhet të ecin përpara dhe të luajnë, pavarësisht se si zhvillohet situata. Nëse Rusia ka një opsion real për t’iu bashkuar Konfederatës aziatike, pasi mund të marrë ndonjë dënim të rëndë nga UEFA, atëherë pse mos ta bëjë këtë lëvizje”, tha ai. “Kam punuar në Azi si trajner dhe kam luajtur në Arabinë Saudite kur isha futbollist aktiv. Do të ishte interesante për mua ta shihja Rusinë të përballet me përfaqësueset e Azisë në kualifikime”.
-
UEFA nuk lejon ekipet e reja të Rusisë të luajnë në kualifikime
-
UEFA vepron për kthimin e pjesshëm të ekipeve ruse dhe zyrtarëve rusë në futbollin evropian
-
Futbolli i Rusisë në rrezik për shkak të izolimit
-
Federata ruse takohet me UEFA-n në përpjekje për kthim në garat ndërkombëtare
-
CAS-i merr vendim në korrik për futbollin e Rusisë