I izoluar nga garat evropiane dhe ato ndërkombëtare, futbolli rus rrezikon të bëjë hap prapa, tha një nga transmetuesit kryesorë të sportit në Rusi. Por ai shtoi se klubet duhet të vazhdojnë të trokasin në dyer për të gjetur një rrugë kthimi.
Si shtëpia evropiane e futbollit (UEFA) ashtu edhe shtëpia e futbollit botëror (FIFA) vendosën që të gjitha ekipet ruse – përfaqësuese apo klube - të pezullohen nga pjesëmarrja në garat ndërkombëtare pas vendimit të Moskës për të dërguar trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Festimet ekstravagante të Zenitit të Shën Petersburgut teksa fitoi titullin e pestë radhazi në ligë muajin e kaluar, me një skuadër që mburret me disa brazilianë dhe disa kolumbianë, tregon se ka ende jetë në futbollin rus. Por prezantuesi sportiv Dmitry Guberniev tha se izolimi ndërkombëtar i Rusisë po e degradon gradualisht futbollin në Rusi.
“Sigurisht që vuajnë sportistët, futbollistët, pa dyshim”, tha ai. “Ne nuk do të pretendojmë se nuk po ndodh asgjë sepse ne nuk luajmë në kupat evropiane dhe përfaqësuesja jonë fatkeqësisht luan vetëm miqësore”.
Federata e Futbollit e Rusisë (RFU), ka shikuar mundësinë e kalimit nga UEFA në Konfederatën e Futbollit të Azisë (AFC), një ide që Guberniev insistoi se nuk është aspak e mirë. Ai shtoi se duhet të punohet për të larguar pezullimin e UEFA-s, ndërsa shtoi që Rusia nuk është e mirëpritur as në futbollin aziatik.
Edhe
UEFA vepron për kthimin e pjesshëm të ekipeve ruse dhe zyrtarëve rusë në futbollin evropian
“Është e lehtë të largohesh nga UEFA, por e vështirë të kthehesh. Përveç kësaj, nuk është se federata aziatike do të na mirëpresë krahëhapur”, tha ai, duke kujtuar kundërshtimin e mundshëm nga Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Përkundër vështirësive me të cilat po përballet futbolli i Rusisë, pasi ekipet po luajnë vetëm në ligën vendase, Guberniev shtoi se mbajtja e kontakteve me UEFA-n dhe FIFA-n është primare.
“Ne duhet të përpiqemi të trokasim edhe në ato dyer të mbyllura, për të shpjeguar situatën dhe promovuar futbollin tonë. Mbajtja e dialogut është shumë e rëndësishme. Ne nuk duhet të mbyllemi në asnjë mënyrë”, u shpreh Guberniev.
Në të vërtetë futbolli i Rusisë është tërësisht i izoluar. Përveç klubeve dhe lojtarëve, zyrtarët e ndeshjeve janë gjithashtu të ndaluar nga garat ndërkombëtare. Gjyqtari kryesor i Rusisë, Sergey Karasev, 44 vjeç, i cili ka ndarë drejtësinë në një Kampionat Botëror, nuk shpreson për një rikthim pas një mungese “të dhimbshme” 16-mujore.
“Sinqerisht shansi është i vogël. Do të ishte mrekullia e fundit nëse kjo ndodh”, pranoi gjyqtari. “Kam kaluar pothuajse dy vjet pa ndeshje ndërkombëtare. Edhe nëse kjo ndodh në të ardhmen e afërt, nuk e di nëse mund të kthehem shpejt”.
Karasev tha se përkundër garave që po mbahen brenda Rusisë, situata mund të jetë kaotike për shkak se klubet mund të hasin në vështirësi financiare për shkak të tkurrjes së ekonomisë. Sipas tij, futbolli rus mund të bëjë hap prapa për shkak të këtyre sanksioneve dhe klubet nuk mund të sigurojnë të hyra pa luajtur në garat evropiane.
“Futbollistët dhe klubet janë të uritur dhe të inatosur. Po duan ta dëshmojnë veten dhe ta bindin UEFA-n se meritojnë të kthehen në garat evropiane. Vetëm duke luajtur në ligën vendase nuk mund të bëjmë shumë gjëra, veçse t’i forcojmë lojtarët tanë. Futbolli ka nevojë të kthehet në arenën ndërkombëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh Karasev.
Edhe
Federata ruse takohet me UEFA-n në përpjekje për kthim në garat ndërkombëtare
Të premten federata ruse ka bërë të ditur se Karasev ka marrë ftesë për të qenë pjesë e kampit stërvitur të gjyqtarëve të UEFA-s, që do të mbahet në muajin shtator. Ky është një sinjal pozitiv për federatën, e cila po shpreson ta bind UEFA-n dhe FIFA-n për ta hequr pezullimin. Prej këtij pezullimi po vuajnë edhe tifozët, të cilët nuk po kanë mundësinë ti shohin ekipet e tyre apo edhe Rusinë në nivelin më të lartë të futbollit.
“Është shumë keq që jemi jashtë garave të Evropës. Jemi lodhur duke luajtur vetëm në kampionatin tonë. Ne duam ta shohim ekipin tonë duke luajtur me ekipet e mëdha evropiane sikurse në të shkuarën”, tha tifozi i Zenitit, Yevgeny Bagayev. “Ne gjithmonë me padurim kemi pritur që pas titullit të kampionit ta shohim Zenitin në Champions apo Ligën e Evropës. Këto gara janë sikur religjion për ne. Ndërsa tani pas festës dhe titullit të fituar, do t’i kthehemi rutinës duke luajtur në kampionatin tonë”.