Në Zvicër vazhdon të ketë shumë reagime lidhur me kalimin e trajnerit të futbollit Fabio Celestini te CSKA Moska. Celestini e udhëhoqi Baselin drejt triumfit në Superligën e Zvicrës dhe, po ashtu, në garën për Kupë të Zvicrës në futboll. Trajneri zviceran ditë më parë e mori drejtimin e skuadrës së njohur ruse.
Por, kjo lëvizje nuk është pranuar mirë në Zvicër. Shumë njohës të futbollit e vlerësojnë hap të gabuar kalimin në futbollin e Rusisë, në kohën kur vazhdon pushtimi rus i Ukrainës. Edhe në aspektin sportiv lëvizje nuk vlerësohet e duhura, për shkak të izolimit të futbollit rus për shumë vjet tashmë.
Ka pasur thirrje e komente prej më të ndryshmeve në Zvicër lidhur me Celestinin. Ka pasur komente që atij t’i tërhiqet pasaporta zvicerane, ndërsa gazeta e madhe “Blick”, në një analizë të gjatë, ka shkruar se trajneri mund të ketë telashe me ligjin në Zvicër, për shkak të punës në Rusi. CSKA Moskën e financon një bankë që vlerësohet se kontribuon në pushtimin rus të Ukrainës dhe për këtë arsye Celestini mund të ketë telashe.
Prej kur klubet ruse u suspenduan nga garat evropiane, futbolli në Rusi nuk është shumë atraktiv për lojtarë cilësorë të vendeve të tjera. Megjithatë, ka lojtarë e trajnerë nga shumë vende që vazhdojnë të bashkohen me klubet ruse.
Ka edhe lojtarë nga Kosova e Shqipëria që janë transferuar në Rusi, pasi nisi pushtimi i Ukrainës dhe kur futbolli rus ishte i izoluar.
Por, a është vazhdimi i karrierës në Rusi gjëja e duhur për futbollistët dhe trajnerët?
Për shumë njerëz në Zvicër, jo. Me shumë mundësi as për shumë njerëz në Kosovë!
Në fakt, në Kosovë do të duhej të kishte dukshëm më tepër arsye për mospajtim për kalim të një sportisti në Rusi. Qëndrimet e shtetit rus i prekin direkt interesat e Kosovës e rrjedhimisht edhe të shqiptarëve. Këtë problem nuk e kanë në Zvicër.
Rusia vlerësohet aleate e madhe e Serbisë. Nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdimisht punon kundër tij. Nuk e njeh as pasaportën e Kosovës. Për këtë arsye lojtarët nga Kosova në Rusi hyjnë me pasaporta të vendeve të tjera. Shqipërisë, për shembull.
Fakti se vazhdon pushtimi rus i Ukrainës është arsye tjetër për të bërë pyetje nëse kalimi në klubet ruse është i duhuri. Klubet e mëdha ruse financohen nga kompani të mëdha, në shumicën e rasteve shtetërore, që kanë ndikim direkt në luftën në Ukrainë.
Arsye tjetër është izolimi i futbollit rus. Jo të gjithë e kuptojnë lëvizjen e një lojtari perspektiv drejt një klubi të një lige që nuk paraqitet në gara evropiane.
Në Kosovë nuk janë bërë pyetjet që aktualisht po bëhen në Zvicër. Lojtarët që luajnë në Rusi, disa prej tyre reprezentues, nuk kanë pasur asnjë telash, e madje asnjë pyetje të pakëndshme. Ka pasur pak komente, sidomos në rrjete sociale, lidhur me arsyeshmërinë e transferimit te një klub rus.
Bernard Berisha e ka gati një dekadë në futbollin rus. Në janar të vitit 2016 iu bashkua Anzhi Makhachkalas. Në dhjetor të vitit 2016 ai kaloi te Terek Grozny, klub që tani njihet si Akhmat Grozny dhe është nga Çeçenia.
Berisha ka luajtur në të kaluarën për Kosovën dhe ishte lojtar i rëndësishëm. Për shumë vjet ishte i rëndësishëm edhe te Akhmat Grozny, ku tani ka hapësirë më të limituar.
Klubi nga Çeçenia quhet Akhmat Grozny që nga 7 qershori i vitit 2017. E mban emrin e ish-presidentit të Republikës së Çeçenisë, Ahmad Kadyrov. Ai fillimisht kishte luftuar për pavarësinë e Çeçenisë e më pas ndërroi anë dhe u bë aleat i Rusisë. Klubin nga Grozny e udhëheq Ramzan Kadyrov, presidenti i Çeçenisë dhe djali i Akhmad Kadyrovit, emrin e të cilit e mban klubi. Ai është president nderi. Kryetar i klubit është Akhmad Kadyrovi i riu, djali i Ramzan Kadyrovit.
Kadyrovi është shumë i afërt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin. Përkrahja e Kadyrovit ndaj Putinit, edhe për luftën në Ukrainë, është shumë e madhe.
Numër i madh shqiptarësh janë te Rubin Kazani, klubi nga kryeqendra e Republikës së Tatarstanit.
Më i njohuri, Mirlind Daku, është transferuar te Rubin Kazani në verën e vitit 2023, pasi ka nisur pushtimi i Ukrainës dhe kur futbolli në Rusi ishte i izoluar. Është lojtari më i mirë i kësaj skuadre. Daku është nga Kosova, por ka edhe pasaportë të Shqipërisë dhe luan për kuqezinjtë. Dardan Shabanhaxhaj është, po ashtu, te Rubini. Ai ka pasaportë të Austrisë, ndërsa është nga Kosova. Veldin Hoxha, i rritur në Kroaci, është tjetër lojtar i Rubin Kazanit, ndërsa së fundi iu bashkua përfaqësueses së Kosovës. Në Kazan luan edhe Marvin Çuni nga Shqipëria.
Në shkrimet e shumta të mediave të ndryshme evropiane për klubet e afërta me Putinin, nuk përmendet Rubin Kazani. Por, klubi ku pritej të kalonte Daku, Zenit St Petersburgu, financohet nga Gazpromi, kompani e madhe e gazit, shumë e afërt me Putinin.
Së fundi ka pasur raportime që kalimi i Dakut te Zeniti ka dështuar për shkak të thirrjeve antiserbe dhe antimaqedonase të sulmuesit gjatë Euro 2024. Raportime të tjera ishin se Zeniti ka hequr dorë në fund nga transferimi i Dakut, për shkak të tatuazhit të tij lidhur me Agim Ramadanin – Katanën.
Së fundi u raportua se Daku i është afruar Dinamo Moskës dhe, po ashtu, që atij i është bërë ofertë e majme për të qëndruar te Rubini.
Futbollistët shqiptarë kanë thënë shumë herë se kalojnë shumë mirë në Rusi. Fakti se futbolli rus është i izoluar, nuk paraqet problem për ta.
“Niveli i futbollit në Rusi është shumë i lartë, njëjtë si mënyra e trajnimit dhe përgatitjes së ndeshjeve. Jeta është normale dhe lufta në Ukrainë nuk ka ndonjë ndikim në jetën e përditshme. I vetmi ndikim negativ që lufta e ka pasur në futbollin rus, është që ekipet ruse janë suspenduar nga garat evropiane”, ka thënë Shabanhaxhaj ditë më parë për KOHËN.
“Planifikoj të qëndroj në Rusi, më pëlqen, e kam mirë. Qyteti është shumë i bukur, jeta është e mirë, ndërtohet shumë. Në asnjë moment nuk e kam ndier luftën. Jetohet normalisht”, ka thënë Hoxha për mediat kroate.
Janë të hyrat e majme që kryesisht i joshin lojtarët e huaj, edhe ata shqiptarë, që të transferohen në Rusi. Po ashtu, liga ruse ende vlerësohet më e mirë se disa prej ligave ku kanë luajtur në të kaluarën Daku, Berisha, Shabanhaxhaj e Hoxha.
Por, kryesisht pagat dhe bonuset e bëjnë dallimin. Dhe kjo shpesh peshon më shumë se të gjitha gjërat e tjera së bashku.