Fabio Celestini e udhëhoqi Baselin drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Zvicrës në futboll. 49-vjeçari i lindur në Lausanne të Zvicrës, të premten u emërua trajner i skuadrës së madhe ruse, CSKA Moska.
Por Celestini po përballet me kritika të shumta në Zvicër për faktin se zgjodhi Rusinë për të vazhduar karrierën si trajner. Mediat më të mëdha zvicerane po merren me këtë çështje.
“Blick” i ka kushtuar një seri shkrimesh, ndërsa në një analizë të gjatë ka shkruar se Celestini mund të ketë telashe me drejtësinë në Zvicër për shkak të punës në Rusi.
Sipas “Blick”, milionat e Celestinit nga Moska janë të pavlefshme në Zvicër.
“Fabio Celestini preferon të punojë dhe jetojë në Moskë më shumë se në Basel. Transferimi i trajnerit fitues të kampionatit dhe kupës me Baselin në CSKA Moskë po shkakton trazira. Është lëvizje që nuk po kuptohet në Basel dhe në gjithë Zvicrën. Vendimi ka pasoja të gjera ligjore për ish-yllin e Zvicrës, siç zbulojnë hetimet e Blick”, shkruan gazeta e madhe zvicerane.
Natyrisht, lëvizja po kundërshtohet për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, që ka nisur në shkurt të vitit 2022 dhe po vazhdon ende. Dhe zviceranët thonë se lufta në Ukrainë financohet edhe nga punëdhënësi i ri i Celestinit.
“CSKA Moska është pronë e bankës shtetërore të Rusisë, VEB. Dhe nuk bëhet fjalë për bankë të zakonshme. Është instrument politik i Vladimir Putinit dhe momentalisht shërben për të mbajtur gjallë industrinë me rëndësi strategjike. Synimi i VEB është të forcojë ekonominë e luftës ruse. Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, VEB ka luajtur rol vendimtar. Ka ofruar miliarda dollarë për sektorët kryesorë të ekonomisë së luftës. Rusia po kanalizon një pjesë të madhe të buxhetit të saj të luftës jashtë buxhetit zyrtar, duke përfshirë edhe përmes bankave shtetërore të zhvillimit si VEB”, vazhdon shkrimi i “Blick”.
Banka VEB është në listën e sankisoneve të SHBA-së dhe të Unionit Evropian. Zvicra ka përshtatur listën e sanksioneve të Unionit Evropian, kështu që banka në fjalë është e sanksionuar në Zvicër. Udhëheqësin e bankës e cakton direkt Putini.
Pasi VEB është pronari i vetëm i CSKA Moskës, ekspertët zviceranë thonë se edhe Celestini është në listën e sanksioneve të Zvicrës, ndonëse ai pagën do ta marrë nga klubi.
“Kjo do të thotë se gjërat mund të bëhen problematike për Celestinin nëse ai kthehet në vendlindje më herët. Sipas ligjit të Zvicrës, ai nuk lejohet të marr asnjë kompensim financiar nga CSKA Moska, si paga apo bonuse. Trajneri i suksesshëm i Baselit ka nënshkruar për dy vjet, me mundësi vazhdimi për një vit tjetër. Nëse lirohet më herët dhe kthehet në Zvicrës, pagesat e mëtejme nga CSKA Moska do të bëhen të pamundura. Nëse i transferohen paratë më pas, ai mund të përballet me burg deri në pesë vjet”, shkruan “Blick”.
Por, përderisa Celestini të qëndrojë në Rusi, nuk punon në Zvicër apo Spanjë ku kalon shumë kohë, dhe nuk transferohen para në llogaritë në këto dy vende, atëherë nuk bëhet asnjë shkelje kriminale.
Sipas gazetës zvicerane, Celestini do ta ketë të pamundur t’i transferojë milionat e fituara në Rusi në vendet e Evropës Perëndimore, duke përfshirë Zvicrën e Spanjën. Sipas “Blick”, paga e Celestinit në Rusi është e pavlefshme në Zvicër apo Spanjë. Ai nuk do të mund t’i transferojë legalisht paratë në llogari apo t’i shfrytëzojë për financim.
“Mbetet e paqartë nëse trajneri ishte në dijeni për këto kushte ligjore para se të transferohej. Por ai padyshim që ishte i vetëdijshëm për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe vlerësoi, edhe në aspektin moral, se ishte një lëvizje e pranueshme për të”.