Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se dëshiron që “suspendimi katërvjeçar i Rusisë nga turnetë ndërkombëtarë” të përfundojë, pasi, sipas tij, nuk ka arritur asgjë.
Klubet ruse dhe përfaqësueset janë suspenduar nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Ky dënim nuk ka arritur asgjë. Vetëm ka krijuar më frustrim dhe urrejtje”, ka thënë Infantino për “Sky Sports”.
“Të kemi djemtë dhe vajzat nga Rusia duke luajtur futboll në pjesët tjera të Evropës do të ndihmonte”, ka shtuar ai.
Infantino ka thënë se “kurrë nuk do t’ia ndalonte një vendi të luajë futboll për shkak të veprimeve të liderëve të tij politik”.
Në Ukrainë komentet e Infantinos janë vlerësuar të papërgjegjshme.