Rusia u përpoq të bënte përparim të martën në tentimin e saj për kthim të ngadaltë dhe të vështirë në sportin ndërkombëtar. Zyrtarët rusë kishin një takim me drejtuesit e shtëpisë evropiane të futbollit, UEFA.
Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Rusisë (RFU), Aleksandr Alaev, nuk pranoi të komentojë kur u largua pas tri orë bisedimesh me zyrtarët e UEFA-s. Ishin bisedimet e para që kur Rusia u tërhoq nga një kërcënim muajin e kaluar për t'u larguar nga UEFA dhe për t'u bashkuar me Konfederatën e Futbollit Aziatik.
Ekipet ruse janë përjashtuar nga garat e UEFA-s dhe FIFA-s për shkak të luftës në Ukrainë dhe aktualisht nuk shihet rrugëdalje për ato vendime që mbetën në fuqi edhe në gjykatën më të lartë të sportit. Përfaqësueset si Polonia, Zvicra dhe Shqipëria kishin refuzuar brenda disa ditësh, pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar, të luanin ndeshjet e tyre të planifikuara kundër Rusisë.
Kur sanksionet e UEFA-s dhe FIFA-s u vendosën më 28 shkurt, ato u kundërshtuan nga Rusia në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ndërsa gjyqtarët ranë dakord se pasojat e lejimit të skuadrave ruse në aktivitete “do të ishin të pariparueshme dhe kaotike” për mbarëvajtjen e garave.
Përfaqësueset e Rusisë u detyruan të heqin dorë nga përpjekjet për t'u kualifikuar në Kupa të Botës për meshkuj dhe femra, Kampionatin Evropian të vitit 2022 për të cilin ruset ishin kualifikuar. Rusia mbeti po ashtu jashtë garave evropiane për të rinj dhe ato në nivel klubesh. UEFA ndërpreu marrëveshjet e sponsorizimit me firmën shtetërore ruse të energjisë “Gazprom” dhe zhvendosi finalen e Ligës së Kampionëve nga stadiumi i Zenitit.
Ndërsa futbolli rus mbetet i bllokuar, zyrtarët olimpikë dhe sportivë në mbarë botën bënë thirrje javën e kaluar për të eksploruar mënyra për të ndihmuar sportistët dhe ekipet ruse të garojnë së shpejti në ngjarjet kualifikuese për Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka një takim të bordit ekzekutiv të mërkurën, i cili pritet të diskutojë pozicionin ndaj Rusisë, 18 muaj përpara ceremonisë së hapjes së Olimpiadës në Paris.
IOC-ja kishte këshilluar organet sportive që të largonin Rusinë nga organizimi i ngjarjeve sportive dhe pjesëmarrja.
UEFA nuk pranoi të komentojë të martën mbi takimin me zyrtarët e RFU-së, Alaev dhe Maksim Mitrofanov, sekretarin e përgjithshëm, i cili është ish-shef ekzekutiv i klubit të Zenitit. Të mërkurën në Nyon, UEFA ka një takim të komitetit ekzekutiv, i cili përfshin presidentin e RFU-së, Alexander Dyukov, dhe presidentin e Federatës së futbollit të Ukrainës, Andriy Pavelko. Mbetet e paqartë nëse ata do të marrin pjesë. UEFA konfirmoi vitin e kaluar se Rusia nuk do të luante në kualifikimet e “Euro 2024”, të cilat fillojnë në muajin mars.
Kazani është ende në listë për të organizuar ndeshjen e Superkupës së Evropës në muajin gusht, mes fituesit të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.