Kampionia në fuqi, Penza e ka fituar ndeshjen e parë të serisë finale të plejofit ndaj Prishtinës në Superligën e femrave në basketboll.
Në duelin e luajtur të martën në Prishtinë, skuadra pejane ka triumfuar bindshëm me shifrat 76:58. Amerikania Hilaire Kaela ishte më e merituara për këtë fitore të Penzës.
Kaela ndeshjen e mbylli me 32 pikë të shënuara, ndërsa pikë dyshifrore realizuan edhe Real Whitsit (14 pikë, 17 kërcime) dhe Jeta Zeka e Diedona Halitaj që shënuan nga dhjetë pikë secila. Te Prishtina, vetëm tri lojtare e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore.
Stasha Carey me 15 pikë ishte më e dalluara, e përcjellë nga Sarah Mgbeike (11) e Agnesa Rrahmani (10 pikë, 10 kërcime). Ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave, do të luhet në Pejë. Skuadra që shënon tri fitore, shpallet kampione për këtë sezon.