Basketbollistet e Penzës do të përballen me ato të Bashkimit në ndeshjen finale të turneut të Superkupës së Kosovës në basketboll. Seria e ndeshjeve gjysmëfinale ka përfunduar të premten në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ndërsa është finalja do të luhet në vendin e njëjtë.
Finalja mes Penzës dhe Bashkimit, do të zhvillohet të dielën prej orës 20:00.
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, Penza ishte bindshëm më e mirë se skuadra e Trepçës. Kampionia në fuqi, triumfoi me rezultatin e thellë 101:37.
Më e dalluara te Penza ishte Lejla Omerbashiq me 22 pikë të shënuara, e ndjekur nga Catlin Jenkins (19 pikë, 17 kërcime), Antonete Thompson (17 pikë) dhe Jeta Zeka (14 pikë).
Në anën tjetër, te Trepça vetëm dy lojtare e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Marshanique Hall pati 16 pikë, ndërsa Alma Muzliuka shtoi 12 sosh.
Për dallim prej gjysmëfinales së parë, e dyta ishte më interesante. Në gjysmëfinalen e dytë, Bashkimi e mposhti skuadrën e Prishtinës me shifrat 78:65.
Arbnore Përquku me 27 pikë të shënuara ishte lidere e Bashkimit, ndërsa Taliyah Hopkins shtoi 16 sosh.
Sarah Mgbeike me “double-double” prej 19 pikëve e 17 kërcimeve nuk arriti ta ndihmojë Prishtinën ta shmang humbjen.
Turneu i Superkupës së Kosovës është paralajmërim për edicionin 2022/23 në Superligën e femrave që nis vikendin e ardhshëm.