Sport

Peja pa telashe ndaj Prizrenit

Kampionja në fuqi e Kosovës në basketboll, Peja, ka shënuar fitore të lehtë të dielën pasdite në Prizren. Në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës, Peja fitoi ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 115:85.

Peja në xhiron e parë e mposhti Vëllaznimin me 20 pikë dallim, ndërsa edhe më thellë fitoi ndaj Prizrenit. Dallimi ishte 30 pikë. Skuadra prizrenase në xhiron e parë kishte pësuar nga Sigal Prishtina.

Skuadra pejane ka fituar të gjithë çerekët e ndeshjes. Periudhën e parë e fitoi 25:18, ndërsa në të dytën epërsia e mysafirëve u rrit edhe për pesë pikë. 27:23 në të mirë të Pejës ishte rezultati në çerekun e tretë. Çereku i katërt, që ishte thuajse formalitet, përfundoi 33:19 për skuadrën e Rami Hadarit.

John Chandler udhëhoqi Pejën me 27 pikë, katër kërcime e katër asistime. Kapiteni Lis Shoshi i kishte 21 pikë, 12 kërcime e tri asistime. Beck Terwell ndeshjen e përfundoi me 24 pikë e gjashtë kërcime.

Urim Zenelaj u dallua te Prizreni me 14 pikë, katër kërcime e pesë asistime. Isaiah Kelly i kishte 23 pikë e gjashtë kërcime.

Në xhiron e tretë Peja e pret Trepçën, ndërsa Prizreni luan në Gjakovë ndaj Vëllaznimit.