Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fitore e Pejës në Prizren

Kampionia në fuqi e Kosovës në basketboll, Peja, nuk ka lejuar befasi në ndeshjen ndaj Proton Cable Prizrenit. Të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Peja fitoi me rezultat 111:93. Ishte kjo ndeshja e fundit e xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës.

Për Pejën ishte fitorja e tretë rresht. Tani ka bilanc prej 12 fitore e katër humbje dhe me 28 pikë renditet e dyta. Udhëheq Trepça me 30 pikë. Prizreni ka pësuar humbjen e 11-të.

Është në pjesën e poshtme të tabelës me 21 pikë, sa i ka edhe Bashkimi. Peja ka dominuar plotësisht në pjesën e parë dhe në pushimin e gjatë shkoi me epërsi prej 19 pikëve. Pas 20 minutave lojë rezultati ishte 68:49 për Pejën. Por prizrenasit reaguan fuqishëm në çerekun e tretë.

U afruan në dy pikë (80:78, 82:80). Pas çerekut të tretë, të cilin Proton Cable Prizreni e fitoi 31:17, rezultati ishte 85:80 në të mirë të Pejës.

Skuadra vendase megjithatë nuk e kishte energjinë e njëjtë në çerekun e fundit. Peja sërish dominoi për fitore bindëse në fund, 111:93. I jashtëzakonshëm te Peja ishte Justin Davis, që ndeshjen e përfundoi me 30 pikë, 12 kërcime e pesë asistime. Ai i kishte edhe katër topa të rrëmbyer. Sadio Doucoure i kishte 18 pikë, tetë kërcime e pesë asistime. Jay Jay Chandler shtoi 19 pikë, dhjetë asistime e gjashtë kërcime. Urim Zenelaj i kishte 11 pikë e 13 kërcime për Prizrenin.

Më efikasi ishte Desi Sills me 21 pikë, që shtoi edhe tetë asistime. Por Sills i kishte edhe tetë topa të humbur. Ty Cockfield i kishte 19 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. Por edhe katër topa të humbur. Prizrenasit i humbën 25 topa, për dallim nga Peja që i kishte 11. Dhe kjo kishte ndikim të madh në rezultat. Në xhiron e ardhshme, Peja e pret Trepçën në superderbin e basketbollit kosovar. Prizreni luan në Gjakovë ndaj Vëllaznimit.