Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fitore e thellë e Pejës

Kampionia në fuqi, Peja, nuk ka hasur në telashe për ta fituar ndeshjen ndaj Proton Cable Prizrenit.

Të mërkurën mbrëma në Gjakovë, Peja fitoi me rezultatin e thellë, 101:69. Shkëputjen, ekipi pejan e bëri në çerekun e dytë të cilin e fitoi 29:14. Ndërkohë dominoi plotësisht edhe në çerekun e katërt, të cilin e fitoi 28:10.

Ndeshja i takoi xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Peja luajti në Gjakovë për shkak të telasheve me semafor, që ka disa javë që e penalizojnë.

Justin Davis ka pasur një tjetër ndeshje të madhe për Pejën. Për 28 minuta të kaluar në parket, ai realizoi 21 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime. Deandre Davis kontribuoi me 11 pikë, pesë kërcime e pesë asistime, ndërsa Jetmir Zeqiri i kishte 10 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime.

Isaiah Kelly u dallua te Prizreni me 14 pikë e 13 kërcime, por ai i kishte edhe shtatë topa të humbur. Peja është e dyta me 40 pikë, ndërsa Prizreni i ka 30 pikë në pjesën e poshtme të tabelës.