Sport

Peja mposht Bashkimin dhe del në vendin e parë

Peja ka mposhtur Bashkimin për të dalë në vendin e parë në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në “Karagaçi” në ndeshjen e fundit të xhiros së 27-të, Peja e mposhti skuadrën prizrenase me rezultat 95:79.
Ndeshja kishte episode të ndryshme. Çerekun e parë e fituan vendasit me rezultat 33:14, ndërsa në të dytin u dalluan mysafirët, duke e fituar 25:14. Pas çerekut të tretë të barabartë, Peja e siguroi fitoren në periudhën e fundit. 23:15 ishte rezultati i çerekut të katërt.
Jalen Tate u dallua te Peja me 23 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime.

Arti Hajdari realizoi 17 pikë, ndërsa David Joseph i kishte 15 pikë.
Te Bashkimi u dallua Daniel Lekndreaj me 15 pikë e 12 kërcime. Fisnik Rugova i kishte 22 pikë e 13 kërcime, derisa Dajuan Graf shënoi 20 pikë.
Peja i ka 47 pikë në vendin e parë. Ka një pikë më shumë se Prishtina dhe Ylli. Prishtina ka një ndeshje më pak të luajtur. Bashkimi mbetet i pesti me 37 pikë dhe prej kësaj pozite do të startojë në plejof. Ka mbetur vetëm edhe një xhiro në stinorin e rregullt.