Sport

Peja fiton titullin pas një dekade

Skuadra e Pejës ka fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll për edicionin 2022/23. Peja e siguroi titullin, pasi në ndeshjen e pestë të serisë finale të plejofit e mposhti Trepçën pas vazhdimit prej pesë minutash. Dueli i luajtur të enjten mbrëma në palestrën “Minatori” të stërmbushur përfundoi me shifrat 93:91, pasi koha e rregullt përfundoi me rezultatin 77:77. Për Pejën kjo ishte fitorja e tretë në këtë seri finale, e cila e siguroi titullin me rezultatin e përgjithshëm 3:2. Fitoren e parë në Mitrovicë në këtë seri finale Pejës ia siguroi qendra Bradley Waldow që shënoi dy pikë kur kishin mbetur vetëm 1.2 sekonda. Në aksionin e fundit Trepça nuk realizoi pas tentimit të Ken Brown nga gjysma e fushës për t’i dhënë fund çështjes së kampionit.

Ndeshja ishte tejet interesante dhe u përcoll gjatë tërë kohës me një atmosferë të zjarrtë nga tribunat, duke konfirmuar epitetin e finales së madhe. Pas përfundimit të takimit filluan hedhjet e shumta të gjësendeve në parket, duke detyruar basketbollistët e Pejës që të iknin me shpejtësi në drejtim të zhveshtores. Për Pejën ky është trofeu i parë këtë edicion, ndërsa Trepça mbetet pa titull prej vitit 2012. Trepça e nisi mirë takimin dhe kishte epërsi 8:2, por Peja u rikthye për ta mbyllur çerekun e parë me shifrat 20:17. Pejanët e fituan edhe çerekun e dytë dhe shkuan në pushim me një epërsi të lehtë prej dy pikëve – 36:34. Trepça reflektoi në periudhën e tretë, që ishte edhe periudha e vetme që e fitoi për t’u futur në çerekun e katërt me rezultatin 58:58. Dhjetëminutëshi i katërt ishte më interesanti, pasi Trepça e siguroi vazhdimin me pikët e shënuara nga Amin Hot në sekondën e fundit. Në vazhdimin prej pesë minutave Peja u tregua me e përqendruar dhe më e saktë për të fituar me shifrat 16:14 dhe për t’u konfirmuar kampione e këtij edicioni.

“Nuk ishte aspak lehtë, por ne nuk jemi dorëzuar për asnjë moment, jo vetëm në këtë seri finale, por gjatë tërë edicionit. Është ndjenjë e mirë të jesh kampion, pasi ky është rezultat i punës, lojës dhe angazhimit që e kemi treguar gjatë tërë këtij edicionit. Në ndeshjen vendimtare në nuk kursyem asgjë nga vetja, pasi besonim se mund të fitonim dhe ia dolëm mbanë”, ka thënë amerikani i skuadrës së Pejës, Jalen Tate. “Ne e dinim se për ta fituar titullin duhej ta fitonim një ndeshje në Mitrovicë dhe ia dolëm mbanë në ndeshjen vendimtare. Ishte një ndeshje e fortë në përgjithësi, por në fund fituam ne, sepse nuk kursyem asgjë nga vetja”.

Qendra amerikane Bradley Waldow ishte më i merituari për këtë sukses të Pejës, pasi ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 20 pikëve e 10 kërcimeve. E me lojë të mirë te pejanët u veçuan edhe Devoe Joseph që pati 21 pikë e Jalen Tate me 16 pikë, por që u përjashtua në minutat e fundit nga loja për shkak të dy gabimeve teknike. Te Trepça pesë basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, por kjo nuk mjaftoi për ta rikthyer titullin në Mitrovicë pas 11 vjetësh. Më i dalluari ishte Drilon Hajrizi me 21 pikë, i përcjellë nga Will Daniels me 17 e Mikaile Tmushiq me 15 sosh. Trofeu iu dorëzua kapitenit të Pejës, Arti Hajdari, në palestrën e zbrazët, pasi Policia e Kosovës i largoi tifozët pas hedhjes së gjësendeve për ta mbyllur këtë ceremoni me një atmosferë të zymtë. Për Trepçën kjo ishte finalja e dytë e humbur këtë edicion, pasi më herët u mposht edhe në Superkupën e Kosoës. Megjithatë, Trepça edicionin e mbylli me triumf në Kupën e Kosovës dhe Superkupën Mbarëshqiptare. Epiteti i lojtarit më të vlefshëm të kësaj serie finale të plejofit i takoi amerikanit Jalen Tate. Duhet cekur se finalja e pestë nisi me një vonesë prej 20 minutave për shkak të një problemi me semaforin e njërit prej koshave. Përkundër tentimeve, semafori nuk funksionoi dhe ekipet u dakorduan që të luanin me vetëm semaforin e njërit kosh që funksiononte. Pas pranimit të medaljeve për vendin e dytë, gjithë skuadra e Trepçës ia uroj Pejës titullin, pasi të gjithë u përshëndetën me njëri-tjetrin në një frymë të vërtetë sportive.