Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pasi shënoi për fitore, Ramizi u përjashtua për ngritje të gishtit të mesëm [VIDEO]

Samir Ramizi ishte figura kryesore e ndeshjes së Superligës së Zvicrës në mes të Winterthurit dhe Grasshopperit. Mesfushori ofensiv shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 të Winterthurit, të shtunën. Ai në minutën e 51-të shënoi me goditje nga zona. Për Ramizin ishte goli i dytë, ndërsa për Winterthurin fitorja e dytë në Superligë dhe e para në shtëpi.

Winterthuri është kthyer pas disa dekadash në elitë dhe po lufton për mbetje në këtë nivel garash. Kështu që goli i 31-vjeçarit ishte shumë i rëndësishëm. Ramizi, megjithatë, do t’i mungojë skuadrës në ndeshjet e ardhshme. Pas ndeshjes, Ramizi ka ngritur gishtin e mesëm në drejtim të tifozëve mysafirë të Grasshopperit. Për këtë, Ramizi u ndëshkua me karton të kuq. Gjyqtari e ndëshkoi pas rishikimit të situatës. Dhe pritet të suspendohet për më shumë se një ndeshje.

Ramizi ka munguar në ndeshjen e kaluar për shkak të kartonëve të verdhë. Tani mungon për karton të kuq.

Për veprimin josportiv të Ramizit kanë shkruar mediat e mëdha zvicerane. “20min.ch” e ka cilësuar skandal. “Bluewin” ka shkruar se veprimi i Ramizit ishte reagim ndaj fyerjeve që tifozët mysafirë i bën atij.

“Natyrisht se kjo nuk është e mirë”, ka thënë trajneri i Winterthurit, Bruno Berner për “nau.ch”.

“Ju duhet të keni respekt për klubet e tjera në secilën situatë”, ka shtuar Berner për skenën e Ramizit.

Edhe Samir Ramizi shkëput kontratën me Winterthurin Sport Samir Ramizi shkëput kontratën me Winterthurin

Ramizi është nga Tërnoci. Ka luajtur në Kosovë për Drenicën e Dritën, ndërsa ka përvojë të gjatë në futbollin zvicerane. Ka luajtur për skuadra si Stade Nyonnais, Servette, Etoile Carouge, Wohlen, Xamax e Winterthur. Te Winterthuri është prej vitit 2020. Në Superligë ka luajtur edhe me Servetten dhe Xamaxin.

Momenti kur Ramizi ngriti gishtin e mesëm