Brenda dy orësh, klubi i futbollit Ferizaj bëri tri postime. Njoftimi i parë ishte për rezultatin me të cilin e mbylli ndeshjen kundër Gjilanit. Pra, 1:1. Ndërsa në dy postimet e tjera Ferizaj njoftoi për dorëheqjen e trajnerit Arbnor Morina dhe të drejtorit sportiv Agron Selmani.
Të dy kanë dhënë edhe arsyetimet e tyre për largimin nga Ferizaj.
Dhe klubi që filloi kampionatin me synime të mëdha, përnjëherë mbetet pa dy drejtues sportivë dhe në krizë.
“Pas takimit të sotëm kundër Gjilanit, kam njoftuar kryesinë e klubit që nuk do të jem më trajner i ekipit, sepse mendoj që diçka duhet të ndryshohet që ekipi të ecë përpara, me idenë se klubi është më i madh se secili individ. Periudha e kaluar në Ferizaj është një periudhë shumë e këndshme për mua në bashkëpunim me njerëz punëtorë dhe të sinqertë, mirëpo klubi ka nevojë për një infuzion që të vazhdojë rrugëtimin aty ku e ka cakun. Këtë vendim e kam marr pasi që prej xhiros së parë kemi qenë ekip i cili kemi treguar futboll të mirë, kemi shënuar, por nuk kemi mundur të mbajmë rezultatin. Besoj se reflektimi im do t’ia kthej FC Ferizajt ditët që i kemi kaluar në Ligën e Parë”, ka thënë Morina për faqen zyrtare të klubit.
Nën drejtimin e Morinës, Ferizaj ka shënuar një fitore, pesë barazime dhe katër disfata. Zë vendin e fundit me tetë pikë, sa kanë edhe Malisheva dhe Dukagjini.
Në fakt, Ferizaj ishte ndër klubet më aktive gjatë verës. Përforcimet ishin bërë me goxha bujë. Ktheu futbollistët ferizajas që luanin në klube të ndryshme të Kosovës. Por kjo po del të mos jetë e mjaftueshme për stabilitet në elitë.
Selmani insiston se Ferizaj nuk do të përballet me krizë pas largimit të tij dhe të Morinës.
“Klubi ka mekanizmat të menaxhojë më mirë situatën në klub, nuk do të ketë krizë”, ka thënë Selmani për KOHËN.
Në deklarimin për klubin, drejtori i deritashëm sportiv ka thënë se Ferizajt i duhet energji e re.
“Klubi FC Ferizaj ka nevojë për energji të re dhe unë nuk jam më promotori apo ajo energji e kërkuar. Duke i uruar klubit suksese në vazhdim i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin i ofruar”, ka thënë Agron Selmani.
Kryetari i FC Ferizaj, Lulzim Abazi, e ka falënderuar Agron Selmanin për punën dhe rrugëtimin së bashku, duke i dëshiruar shumë suksese në aspektin profesional.
Me situata të ngjashme Ferizaj është përballur edhe në të kaluarën. Ka kaluar shumë kriza si në aspektin financiar ashtu edhe organizativ.